Ekonomi

Marrëveshjet e CEFTA-s dhe plani i ri i veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal në fokus në Samitin e 10-të të Procesit të Berlinit

By GAZETA SCANNER

October 15, 2024

Udhëheqësit e Procesit të Berlinit nga Ballkani Perëndimor dhe disa shtete anëtare të BE-së u mblodhën në Berlin për të shënuar dhjetëvjetorin e Procesit të Berlinit dhe për të diskutuar iniciativa kyçe që synojnë nxitjen e integrimit ekonomik, lidhshmërisë dhe qëndrueshmërisë. Danijela Gačević, Drejtoresha e Përkohshme e Sekretariatit të CEFTA-s, mori pjesë në Samitin e organizuar nga Kancelari gjerman, Olaf Scholz.

 

Gjatë Samitit, marrëveshjet e CEFTA-s u theksuan si një arritje historike që do të mundësojë zbatimin e suksesshëm të Planit aktual të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal (CRM).

 

Danijela Gačević, Drejtoresha e Përkohshme e Sekretariatit të CEFTA-s, shprehu mirënjohjen ndaj Gjermanisë dhe pjesëmarrësve të tjerë të Procesit të Berlinit për mbështetjen e tyre në miratimin e marrëveshjeve të CEFTA-s. Duke shpjeguar rëndësinë e tyre, ajo shtoi: “Secila nga këto marrëveshje sjell një sërë përfitimesh të prekshme për popujt dhe bizneset tona, pa të cilat mozaiku i Tregut të Përbashkët Rajonal nuk do të ishte i plotë. Por ky është vetëm fillimi. Sot, udhëheqësit ishin të qartë se duan më shumë rezultate dhe CEFTA është e vendosur t’i ofrojë ato.”

 

Duke u bazuar në përparimin e bërë gjatë katër viteve të fundit, udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor miratuan një Plan të Ri të Veprimit për Tregun e Përbashkët Rajonal për vitet 2025-2028, i cili përcakton drejtimin për përmirësimin e tregtisë, mobilitetit dhe investimeve në të gjithë rajonin dhe integrimin me Tregun e Vetëm të BE-së. Plani i ri katërvjeçar është i ndarë në 6 shtylla, nga të cilat 3 do të zbatohen nga CEFTA: lëvizja e lirë e mallrave, lëvizja e lirë e shërbimeve dhe masat horizontale të tregtisë. Ky Plan synon të shfrytëzojë potencialin e rajonit duke nxitur tregtinë, investimet dhe duke hapur derën për integrimin e përshpejtuar në Tregun e Vetëm të BE-së.

 

Përveç zgjerimit të tregtisë dhe tregut, Samiti trajtoi çështje urgjente që lidhen me Agjendën e Gjelbër dhe lidhshmërinë energjetike. Samiti përfundoi me një konferencë të përbashkët për shtyp ku morën pjesë Kancelari Olaf Scholz, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe figura të tjera kyçe, duke sinjalizuar një mbështetje të fortë të BE-së për përpjekjet e integrimit dhe bashkëpunimit të rajonit.