Lajme

Marrëveshja pa njohje me Kosovën në fund të janarit i amandamentohet Serbisë në Kapitullin 35 të bisedimeve me BE-në

By GAZETA SCANNER 1

December 21, 2023

Atë që ishte zotuar publikisht Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, se Marrëveshja Bazike dhe Aneksi Implementues i Ohrit do t’i inkorporohet Serbisë në Kapitullin 35 të bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, e konfirmoi ndërmjetësi sllovak, Miroslav Lajçak se do të jetë punë e kryer në fund të janarit të vitit 2024.

Duke folur sot për Gazetën Express, Lajçak e konfirmoi se unioni njëzet e shtatë shtetësh ka konsensus se Kapitulli 35 për Serbisë duhet të amandementohet për të përfshirë obligimet e ndërmarra nga Brukseli e Ohri; ku Serbisë i kërkohet ajo që është interpretuar të jetë “njohje e derës së pasme, de facto” e Kosovës dhe moskundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare; pika këto që Serbia eksplicit i ka refuzuar se do t’i përmbush.

“(…) para fundit të janarit 2024. Pra, këtu kemi një afat të qartë kohor për formalizimin e Marrëveshjes si pjesë e marrëveshjes kontraktuale me BE-në dhe e kritereve të anëtarësimit të Serbisë”, tha ai.

S’i ka as dy javë më parë kur Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, shprehej që “nuk e besoj” se Kapitulli 35 mund t’i amandamentohej, së paku jo në pikat që ai ka quajtur “vija të kuqe” si: Kosova në OKB, njohja qoftë formale qoftë jo formale dhe njohja e integritetit territorial të Kosovës; pika këto që i kundërshtuan me shkrim edhe përmes një shkrese zyrtare dërguar ditë më parë nga Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Borrell qysh më 17 mars të këtij viti pas konkludimit të tekstit të Aneksit të Zbatimit të Ohrit, kishte thënë para gazetarëve se “(…) Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit, do të bëhet pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse në BE”.

“Dhe për ta bërë shumë konkrete, do të nis punën menjëherë për të përfshirë zyrtarisht amendamentet përkatëse në Kapitullin 35 të Negociatave të Kornizës së Negociatave të Serbisë me BE-në dhe në agjendën e Grupit Special të Kosovës për Normalizim. Në këtë mënyrë, të dyja palët do të jenë të detyruara nga Marrëveshja e cila do të jetë pjesë e rrugës së tyre në Bashkimin Evropian”.

Kosova, ndryshe nga më parë kur vetëm inicializoheshin tekstet, edhe siguri më të madhe juridike për Marrëveshjen Bazike. E kjo siguri juridike, beson Qeveria e Kosovës, arrihet me nënshkrimin e Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të Ohrit si dhe deponimin e saj si Traktar Ndërkombëtar para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe te Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së.

Miroslav Lajçak hiç më larg se sot u shpreh se i kanë marrë parasysh kërkesat kosovare për mënyrat e formalizimit të marrëveshjes por se nënshkrimi nuk konstitution me doemos atë që ata supozojnë.

“Ekipi im e ka shqyrtuar edhe një herë çështjen e formalizimit sipas kërkesës së Kosovës, si dhe i kemi ofruar Kosovës disa opsione në këtë drejtim, dhe aktualisht po presim përgjigjen e tyre”.

Çka thuhet në Kapitullin 35 të Serbisë në bisedimet me BE-në?

Ky Kapitull i referohet normalizimit të marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën si kusht kyç dhe i domosdoshëm i eventualitetit të anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Në Kapitullin 35 në mënyrë eksplicite thuhet se në qoftë se “për shkak të dështimit nga ana e Serbisë që të veprojë në mirëbesim, në veçanti në zbatimin e marrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, Komisioni Evropian në bazë të iniciativës së vet dhe me kërkesën e një të tretave të Shteteve Anëtare, dhe në pajtim me pikën 25 të kornizës negociuese, do të propozojë pezullimin e rekomandimeve të saj në hapjen ose mbylljen e kapitujve tjerë negocues, dhe të miratojë punët përgatitore të asocuara, siç të jetë e duhur, deri kur ky imbalancë të adresohet”.

Kapitulli 35 parasheh që Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian deri në arritjen e një “marrëveshje gjithpërfshirëse dhe finale” për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën; gjë që kaherë është nënkuptuar edhe njohjen juridike të Kosovës nga kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar por edhe Parlamentit Evropian; gjë që bëhet tash e paqartë me përfshirjen e Marrëveshjes Bazike ku ka vetëm njohje “de facto” (që është interpretuar ashtu) dy-Gjermanëshe.