Një mesazh që ka arritur sot nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës në numrat e telefonin të disa prej përdoruesve të “Valës”, ka shkaktuar shumë reagime në rrjete sociale. Për çka bëhet fjalë?
“Ministria e Drejtësisë ka ashpërsuar dënimet për veprat penale të dhunës në familje dhe asaj me bazë gjinore.” – ky është mesazhi që ka arritur sot në disa numra të telefonit.
Pra, duket se edhe mesazhi erdhi nga Ministrja e Drejtësisë.
Pse këto reagime?
Fillimisht, drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ishte ndër të parët që reagoi në lidhje me këtë. Sipas tij, ky institucion nuk ka të autoritet e as kompetencë të ashpërsojë dënime.
“Ministria e Drejtesise as ska autoritet e as kompetence me i ashpersu denimet per vepra penale e as per dhune ne familje. Kjo eshte kompetence dhe pergjegjesi e Kuvendit te Kosoves.” – ka thënë ai.
Madje, sipas Miftarajt, Qeveria e Kosovës po bën propagandë me viktimat e dhunës në familje.
“Marre” – ka shkruar ai në fund.
Edhe zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti e ka bërë një reagim në lidhje me këtë çështje. Sipas tij, Ministria e Drejtësisë përcakton shkallën e dënimeve vetëm në vende autoritare e komuniste.
“Ministria jonë e Drejtësisë, që drejtohet nga Albulena Haxhiu, po thotë se ka ashpërsuar dënimet për vepra të caktuara penale.” – ka thënë ai.
Ndërkohë, avokati Ylli Zekaj ka pyetur “a me keshë, a me kajtë”.
“Ministria e Drejtesise ashperson denimet per veprat penale” a me keshe, a me kajte?!! Tash e tutje, raportoni veprat penale, ne Ministrine e Drejtesise!” – ka shkruar ai në Facebook.
Ndërkaq, më herët, Ministria e Drejtësisë publikoi një video të ministres Albulena Haxhiu, e ku tha se janë marrë disa hapa në fuqizimin e legjislacionit Kundër Dhunës në Familje dhe Dhunës me Bazë Gjinore.