Klubi anglez, Liverpooli i ka vënë sytë te ylli i Interit, Marcus Thuram, por francezi nuk është i interesuar për një lëvizje në Anfield.
Sipas La Gazzetta dello Sport, gjigantët e Ligës Premier, Liverpooli është i interesuar për sulmuesin e Interit, Thuram, por sulmuesi francez nuk po mendon të largohet së shpejti nga Nerazzurrët.
Gazeta italiane pretendon se Reds e kanë ndjekur Thuramin prej kohësh dhe janë interesuar për 27-vjeçarin edhe sa ishte Jurgen Klopp në krye.
Thuram iu bashkua Interit në një transferim të lirë në afatin kalimtar të verës 2023 dhe fitoi titullin e Serie A në sezonin e tij të parë në Stadio Giuseppe Meazza.
Ai është një nga golashënuesit më të mirë të Serie A këtë sezon, me shtatë gola në 12 ndeshje të ligës.
Kontrata e tij në San Siro skadon në qershor 2028 dhe përfshin një klauzolë lirimi prej 85 milionë euro. Pavarësisht kësaj, pretendimet e tij të fundit pas fitores 3-1 të Francës ndaj Italisë në Milano sugjerojnë se ai nuk është i interesuar të largohet nga klubi i tij aktual.
“E dua këtë stadium, e dua San Siron. Ndeshja kundër Italisë ishte e çuditshme për mua. Kam luajtur kundër vëllezërve të mi, gjë që ishte shumë e çuditshme, por i dua të gjithë dhe isha i lumtur që kalova rrugët me ta”, ka thënë Thuram.