Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka thënë se zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës i ka kaluar disa faza.
Në një intervistë në emisionin “Info-Nata në Tëvë1, Maqedonci tha se faza e tretë e zhvillimit të kësaj force do të jetë ndërtimi i kapaciteteve me zjarr dhe mbështetjes ajrore për FSK-në. Ai e tregoi edhe arsyen e rëndësisë së zhvillimit të këtyre kapaciteteve ushtarake.
“Faza e tretë apo përfundimtare do të jetë faza 2025-2028 është faza ku ne ndërtojmë kapacitetet e mbështetjes me zjarr edhe kapacitetet e mbështetjes ajrore që nënkupton që gjatë kësaj faze ne do të ndërtojmë kapacitetet kryesisht që ndërlidhen me artilerinë, pra me topat, edhe pse e thash një pjesë të pajisjeve si mortajat keni pas rastin t’i shini kur e kemi bërë prezantimin e pajisjeve, vetëm se i kemi në inventarin e forcës. Mirëpo do të na duhen edhe pajisje të tjera për ta mbuluar këtë kapacitet që është shumë i rëndësishëm për mbështetjen e këtyre tri regjimenteve të këmbësorisë që do t’i ndërtojmë në këtë fazë. Në luftim këmbësoria zhvillon luftime taktike, kurse artileria, kjo mbështetja me zjarr i mbështet këto njësi në veprime ushtarake. Po ashtu e kemi njësinë e aviacionit e cila do të pajiset me helikopter. Veç e dini që kemi blerë edhe dronë dhe pajisje të tjera që ndërlidhen me vëzhgimin ajror por edhe me mbështetjen luftarake ajrore për forcat në luftim”, ka thënë Maqedonci.
I pyetur nëse FSK do të ketë buxhet për një gjë të tillë, Maqedonci ka thënë se buxhetimi i kësaj force bëhet konform planit zhvillimor i cili është i paraparë fazën e transformimit të FSK-së në ushtri.