Lajme

Manxhuka: Rënia në lirinë e mediave s’ka të bëjë me presion e me kufizime nga Qeveria

By GAZETA SCANNER 1

May 03, 2024

Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka thënë se rënia e Kosovës në indeksin e lirisë së shtypit në raportin e Reporterëve pa Kufij është bërë bazuar në elemente që nuk kanë të bëjnë me presionin e kufizimet nga qeveria.

“Raporti i Reporterëve pa Kufij nuk na gëzon por mediat në Kosovë janë të lira”, thotë Manxhuka.

Sipas Manxhukës, Kosova ka qenë shtet i kapur kur Vetëvendosje ka marrë pushtetin, ndërsa thotë se sot ajo mendësi “nuk ekziston më”.

“Disa që sot po i gëzohen raportit negativ të RSF duke e akuzuar qeverinë, e patën akuzuar qeverinë edhe për dërgimin e kryetarëve në dy komunat në veri me 29 maj dhe e akuzuan qeverinë madje edhe për sulmin në Banjskë”.

Reagimi i plotë:

Raporti i Reporterëve pa Kufij nuk na gëzon por mediat në Kosovë janë të lira.

Në raportin e Reporterëve pa Kufij këtë vit Kosova ka shënuar një rënie prej 8 pikësh në rezultat dhe 19 vende në renditjen globale bazuar elemente që janë krejtësisht të qarta, e që nuk kanë të bëjnë me presionin e kufizimet nga qeveria.

Është evidente që në këtë rezultat ka ndikuar edhe rasti i Klan Kosovës. Ky rast, i zbuluar nga mediat dhe më pas i trajtuar nga organet përkatëse, ka të bëjë me një biznes të regjistruar me dokumente ilegale të Serbisë ku qytetet e Republikës së Kosovës janë me emërtime të Serbisë, që paraqet shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Klan Kosova e ka pranuar këtë kur i ka përmirësuar të dhënat në regjistrin e bizneseve në ARBK me të dhëna të Republikës së Kosovës. Po të mos kishte bërë shkelje nuk kishte nevojë t’i përmirësonte.

Reporterët Pa Kufij si duket nuk e kanë marrë parasysh këtë gjë.

Rasti tjetër ka të bëjë me sulmin ndaj gazetarëve në veri të vendit në kohën kur bandat kriminale të organizuara nga Beogradi nuk lejonin që të shtrihej kushtetushmëria dhe ligjshmëria atje, duke sulmuar fizikisht kështu çdokënd që raportonte të vërtetën.

Sa i përket shqetësimit për RTK-në duket e çuditshme kur kujtojmë që ka pasur lëvdata nga shumë akterë në vend që kanë theksuar mënyrën dhe transparencën që nga zgjedhja e bordit e deri te rekrutimet e tjera atje.

Kosova ka qenë shtet i kapur kur ne kemi marrë pushtetin. Sot ajo mendësi nuk ekziston më. Por, elementet e shtetit të kapur ishin jo vetëm në politikë e qeveri por edhe te tajkun të mediave.

Kosova po ballafaqohet me sulme nga Serbia në veri të cilat vitin e kaluar në Banjsë rezultuan me sulm terrorist dhe vrasjen e rreshterit, heroit, Afrim Bunjaku.

Disa që sot po i gëzohen raportit negativ të RSF duke e akuzuar qeverinë, e patën akuzuar qeverinë edhe për dërgimin e kryetarëve në dy komunat në veri me 29 maj dhe e akuzuan qeverinë madje edhe për sulmin në Banjskë.

Ishin gabim atëherë e janë gabim edhe tash.

Republika e Kosovës është shtet i të gjithëve dhe i takon secilit ta mbrojë duke e thënë dhe luftuar për të vërtetën.