Lajme

Manaj kërkon postin e kryeministrit për LDK-në në këmbim të presidentit dhe kryeparlamentarit

Janë duke vazhduar në distanca polemikat për postin e presidentit në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Kësaj radhe, deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, i është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi.

Abazi në një postim në rrjetin social “Facebook”, kishte përmendur kohën e Ibrahim Rugovës, kur LDK-ja kishte arritur që ta ketë edhe presidentin edhe kryeministrin, por që sipas tij, tashmë që LDK-na e Isa Mustafës është radhitur e dyta dhe nuk i takon posti i presidentit.

Por pas këtij postimi ka reaguar deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj.

Manaj ka thënë se në kohën e Rugovës LDK-ja kishte 47 deputetë dhe në atë kohë, pra më 2001, LDK-ja kishte Parlamentin dhe Presidencën, kurse partia e dytë, PDK-ja kishte vetëm Kryeminsitrinë.

Sipas Manajt, oferta e LDK-së ka qenë që postin e presidentit ta marrë VV-ja kurse të kryeministrit LDK.

“Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr Kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr Presidentin dhe Kryetarin e Kuvendit ( edhepse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione)”, ka shkruar Manaj.

Postimi i plotë i Manajt:

LDK në kohën e Ibrahim Rugovës në vitin 2001, si partia e parë ka pasur 47 deputetë, ndërsa partia e dytë (PDK) ka pasur 26 deputetë, 21 deputetë me pak se LDK.

Në këtë kohë, LDK ka udhëhequr Parlamentin dhe Presidencën, ndërsa Kryeministrin e ka pasur partia e dytë e cila i ka pasur 21 deputetë me pak se partia e parë.

Tani VV ka 29 deputetë si partia e parë dhe LDK ka 28 deputetë si partia e dytë, diferenca është vetëm 1 deputet.

Nëse z. Haki Abazi, ju ka ba marak që ky kombinim të jetë model i ndarjes së përgjegjësive shtetërore tani, atëherë LDK e ka dhënë edhe këtë ofertë që LDK si partia e dytë ta marr kryeministrin, ndërsa VV si partia e parë ta merr presidentin dhe kryetarin e Kuvendit (edhe pse nuk i ka 47 deputetë sa i ka pasur LDK kur i ka pasur këto dy pozicione).

Nëse doni kështu, nesër e arrijmë këtë marrëveshje!