Sport

Man Utd ndalet te Villa, Chelsea barazon me Nottinghamin

By GAZETA SCANNER 1

October 06, 2024

Manchester United ka ndarë pikët me Aston Villan, derisa as Chelsea nuk ka arritur t’i fitojë pikët e plota ndaj Nottingham Forestit.

Përballja e “Djajve të Kuq” ndaj Villas ndoshta mund të jetë “jetike” për pozitën e Erik ten Hag, megjithatë përfundoi me rezultat ta barabartë 0:0.

Ndeshja doli të jetë shumë e qetë, me pak raste shënimi që asnjëra nga klubet nuk i finalizuan.

Rasti më i mirë për Villan ishte përmes Youri Tielemans, i cili provoi nga afërsia por që Andre Onana me një pritje fantastike ia mohoi golin.

Në anën tjetër, edhe Unitedi lehtësisht mund të shënonte përmes Bruno Fernandes, mirëpo portugezi goditi traversën.

Kështu, Villa mbetet në pozitën e pestë me 14 pikë derisa Man Unitedi zë vendin e 14-të me tetë sosh.

Kurse, Chelsea pas disa fitoreve radhazi është ndalur në shtëpi nga Nottingham Foresti, me rezultat 1:1.

“Blutë” ishin më të mirë në pjesën më të madhe të kohës, por që assesi s’ia dolën ta thyenin mbrojtjen mysafire.

Nottingham fillimisht kaloi në epërsi përmes Wood, i cili mori një asistim nga Milenkovic (50’).

Gëzimi i mysafirëve zgjati shtatë minuta, me Chelsean që u këndell përmes Madueke, pas asistimit të Cole Palmer (57’).

Chelsea në kohën shtesë kishte disa raste të arta përmes Pedro Netos si dhe Palmer, megjithatë larg konkretizimit.

Chelsea qëndron në vendin e katërt në Premierligë me 14 pikë kurse Nottingham ngrihet në pozitën e nëntë me 10 sosh.