Politologu Albinot Maloku, konsideron se qeveria aktuale e Kosovës paturpësisht është duke keqpërdorur pushtetin e saj për siç ka thënë kusure politike.
Sipas Malokut problemi qëndron te shfrytëzimi i kapaciteteve shtetërore për përcjelljen e fushatave të një subjekti politik.
“Unë konsideroj që pa pikë turpi pushteti aktual është duke e keqpërdor të gjithë ingranazhin shtetëror të Kosovës në të gjitha hapësirat ku po ka mundësi për kusure politike. Problemi është te shfrytëzimi i kapaciteteve shtetërore, keni parasysh me iu dërgu gazetarëve ftesa konsulatat dhe ambasadat tona për t’i përcjellur këto ngjarje ku janë kryesisht ngjarje të fushatimit të një subjekti politik të një lideri të një subjekti politik në Kosovë dhe kjo është e keqja që tani po ndodhë”, ka thënë ai në emisionin “Këndi i Debatit”, në Tëvë1.
Ndërsa, vendimin e Gjermanisë për moslejimin zhvillimit të aktiviteteve elektorale në territorin gjerman nëse të njëjtat zhvillohen në më pak se tre muaj nga data e zgjedhjeve parlamentare, Maloku nuk e ka parë si ndalim por si rregullativ të periudhës kohore.
“Në rastin e Kosovës unë nuk po shoh ndalim por po shoh disa rregullativa në kuptimin e asaj të përdorimit të këtyre rendit ligjor dhe kushtetues gjerman që në fakt nuk kishte ndalim decidiv për fushatë të liderëve politik të Kosovës sidomos siç përdoret shprehja në tokën gjermane mirëpo rregullativ të periudhës kohore”, ka shtuar ai.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë të hënën se autoritetet gjermane zakonisht nuk japin leje që partitë politike të një shteti të zhvillojnë fushatë në tokën gjermane në periudhën më pak se tre muaj nga data e mbajtjes së zgjedhjeve.