Lajmest-slider

Maliqi: LDK-ja nuk e ka partnerin që të bëjë pazare me postin e presidentit

Njohësi i çështjeve politike në vend, Shkëlzen Maliqi, ka komentuar negociatat që janë duke u zhvilluar në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Duke komentuar kushtin e LDK-së për bashkëqeverisje me LV-në që posti i presidentit t’i takojë partisë së Isa Mustafës, Maliqi ka thënë kjo parti nuk duhet të rrezikojë përsëritjen e zgjedhjeve.

Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se sot LDK-ja nuk e ka partnerin që të bëjë pazare me postin e presidentit.

Postimi i plotë dhe pa ndërhyrje i Maliqit:

RRETH PRESIDENTIT

Në esencë posti i presidentit nuk do të duhej t’i takonte asnjë partie, sepse sipas frymës së Kushtetutës, në momentin që propozohet cilido kandidat ai nuk duhet të jetë anëtar partie, cilado qoftë ajo, ose të paktën duhet të jetë i dorëhequr nga partia. Në këtë kuptim posti i presidentit në vitin 2021, assesi nuk mund të jetë i LDK-së. Dhe këtë nuk mund ta pretendojë as sot. Mund të kërkojë përparësi në propozimin e kandidatit apartiak dhe koncensual për president, kjo është e arsyetueshme.

Nëse LDK-ja e pat bërë në vitin 2014 pazarin paraprak me PDK-në që Hashim Thaçit t’i rezervohet zgjedhja për president, sot nuk e ka partnerin që bën keso pazare, kështu që e ka më mirë të kënaqet me ndarjen e dakorduar të posteve sesa të rrezikojë përsëritjen e zgjedhjeve, në të cilat mund të dalë shumë me keq se me 6 tetor. /GazetaScanner/