Kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar (KNSh), Nevzad Lutfiu, ka thënë se procesi i pasivizimit në Luginën e Preshevës ka kaluar në një fazë të frikshme, pasi sipas tij, ky proces ka për qëllim spastrimin etnik.
“Jo vetëm që po na shqetëson, por tashmë ka kaluar në një fazë jashtëzakonisht të frikshme, për shkak që përderisa në të kaluarën proces sipas kanë qenë shqiptarët të cilët kanë jetuar në Kosovë, së fundi kemi raste të shumta të qytetarëve tanë që jetojnë në diasporë pasi po paraqesin shqetësimet e tyre dhe vendimet e pasivizimeve. Kjo normalisht që është jashtëzakonisht shqetësuese, sepse definitisvisht ky proces ka për qëllim për spastrim etnik”, ka deklaruar Lutfiu në emision “FIVE”.
Lutfiu ka theksuar se kur marrin shqetësime të tilla, njoftojnë edhe institucionet e Kosovës dhe ambasadat mike në Beograd, por sipas tij, Serbia nuk shqetësohet nga çfarëdo presioni që vjen në këtë drejtim.
Ai gjithashtu përmendi situatën në Medvegjë, duke theksuar se procesi i pasivizimit atje pothuajse ka përfunduar dhe shqiptarët në këtë komunë janë defaktorizuar nga jeta politike.
“Zakonisht kur marrim shqetësime të tilla, njoftojmë edhe institucionet e Kosovës, ambasadat mike që i kemi në Beograd, po duket që Serbia nuk është fare e shqetësuar nga çfarëdo presioni që vjen në këtë drejtim. Duhet të përmend një fakt për shkak se në Medvegjë pothuajse procesi i pasivizimit në mënyrë të përgjithshme vetëm se ka përfunduar, shqiptarët në këtë komunë janë defaktorizu nga jeta politike. Nga 25 asamblistë sa ka kjo komunë, 23 janë të partisë së Vuçiqit dhe vetëm dy janë shqiptarë”, ka thënë Lutfiu.