Lajme

Lushtaku: Në Speciale kanë kontribuar dashakeqës shqiptarë, nëse ndodh diçka, barra bie mbi ta

By GAZETA SCANNER 1

April 22, 2023

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku ka folur për qëndrimin e tij rreth Gjykatës Speciale dhe ish-krerëve të luftës që ndodhen atje.

Në një intervistë për lajmi.net, Lushtaku ka deklaruar se në karrigen e të pandehurve ku sot ndodhen ish-krerët e UÇK-së, ishte edhe babai i tij, Sami Lushtaku.

Lushtaku ka deklaruar se ashtu si babai i tij, edhe krerët e UÇK-së janë duke u gjykuar padrejtësisht.

Janë gjykuar padrejtësisht dhe në fund ka dalë i pafajshëm. Ai (Sami Lushtaku) është në lëkurën e tyre dhe e di më së mirti se çfarë janë në gjendje vetëm e vetëm që t’i mbajnë të mbyllur krerët e luftës padrejtësisht”, ka thënë Lushtaku.

Tutje, i njëjti ka deklaruar se edhe deklarimet publike që po bëhen rreth Gjykatës Speciale i bëjnë dëm drejtësisë.

“Të gjithë e kanë të drejtën me u deklaru në gjykatë. Sigurisht që historia do t’i gjykojë të gjithë ata, sepse nuk po gjykohet individi, sepse po të ishte kështu, ata do të gjykoheshin brenda Kosovës dhe jo në një vend tjetër. Me këto deklarata unë mendoj se i bëjnë dëm drejtësisë dhe jo individëve atje”, ka deklaruar Lushtaku.

Lushtaku ka thënë se edhe po të ishte deputet në vitet kur u votua Gjykata Speciale, do të ishte kundër formimit të saj, por ka deklaruar se i kupton edhe ata që votuan pro për shkak të presionit të madh ndërkombëtar.

Ai ka thënë se në Speciale kanë kontribuar shumë dashakeqës që janë shqiptarë, ndërsa ka thënë se nëse ndodh diçka atëherë barra e përgjegjësisë bie mbi këta persona.