Lajme

Lushtaku mohon se ka ndonjë koalicion PDK-VV

By GAZETA SCANNER 1

July 17, 2024

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mergim Lushtaku ka mohuar se kjo parti ka marrëveshje për një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai ka thënë se kjo parti ka qenë e interesuar për zgjedhje të parakohshme, por ka fajësuar Vetëvendosjen siç ka thënë ai për tërheqje edhe pse kishte premtuar për votimin e shpërndarjes së Kuvendit.

“Nuk ka asnjë koalicion as të heshtur as publik, sigurisht takimet janë publike sepse ne jemi parti parlamentare dhe si e tillë duhet të dakoordohemi për zgjedhjet nacionale, derisa jemi munduar që të kemi zgjedhje nacionale të parakohshme, sepse ne si parti mendojmë që kjo Qeveri sa të qëndrojë dëmi ka me qenë i madh për Kosovën. Gjithsesi kjo nuk ndodhi, sepse vet partia që ishte pajtuar me u votu shpërndarjen e Kuvendit, u zmbraps”, ka thënë Lushtaku në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë 1.

Pas përgjigjes pozitive ndaj ftesës së kryeministrit për një takim me partitë opozitare, nga kreu i PDK-së Memli Krasniqi, janë shtuar zërat për një afërim dhe mundësi të një koalicioni LVV-PDK.

Madje, ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci ka thënë se sipas informacioneve që ai ka dy partitë janë pajtuar për një koalicion, madje sipas tij, janë ndarë edhe dy postet kryesore, Bedri Hamza president e Albin Kurti kryeministër.