Anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, ka kritikuar ashpër Qeverinë e Kosovës në fushën e arsimit.
Ajo ka bërë me dije se arsimi në Qeverinë Kurti ka qenë dështim.
Në profilin e saj në “Facebook”, Lushaku-Sadriu ka shkruar se është papërgjegjësi e kryeministrit Kurti që fajin për gjendjen në arsim të ua hedh prindërve.
“Të pranosh dështimin është fillimi i përgjegjësisë dhe reflektimit. Por, të hedhësh barrën e keq-qeverisjes mbi supet e prindërve nuk është vetëm një akt i papranueshëm, por edhe një shfaqje e pastër e hipokrizisë. Sipas logjikës së Kryeministrit Kurti, trinomi i fajësisë për gjendjen e arsimit përfshin nxënësit, mësuesit dhe prindërit – por asnjëherë qeverisjen e tij të paaftë. Në tre vitet e tij në detyrë janë alokuar plot 370 milionë euro për arsimin. Përfundimi? As strategji, as vizion, e as zgjidhje konkrete për sfidat e përballuara”, ka shkruar ajo.
Ajo ka përmendur edhe dështimet tjera të qeverisë në këtë fushë.
“Premtimeve për ndërtimin e qindra çerdheve u mungon realizimi; as pesë nuk janë ndërtuar në tre vite. Bibliotekat e reja? Janë vetëm një ëndërr e parealizueshme. Nismat për të rritur cilësinë e arsimit mungojnë plotësisht. Rreth ndërlidhjes mes tregut të punës dhe arsimit pyes veten: për cilin treg pune flet kryeministri, kur të rinjtë e vendit po e braktisin Kosovën çdo ditë në kërkim të mundësive në Evropë? Në vitin e fundit të mandatit të tyre, askush nuk mund të pretendojë se arsimi ishte prioritet i një qeverie që dikur i etiketoi qytetarët si “analfabetë të fshehtë”. Zhvillimi i vërtetë arsimor kërkon më shumë se fjalë të bukura; kërkon përkushtim të vërtetë, përditë dhe transparent”, ka shkruar ajo.