Karriera e Luka Modriç në fushat e lojës duket se është drejt perëndimit. Kroati ka hyrë në muajt e fundit të kontratës me Real Madrid dhe për momentin, rinovimi mbetet opsioni më pak i mundshëm. I shtyrë nga këto rrethana, fituesi i Topit të Artë po mendon seriozisht pensionimin.
Por nëse ai tundohet dhe vendos të largohet nga fusha e blertë, Modriç pritet të qëndrojë sërish në kryeqytetin spanjoll. Sipas asaj që raportohet nga mediat spanjolle, trajneri Carlo Ancelotti i ka ofruar një vend si asistent i tij.
38-vjeçari shihet si vlerë e shtuar nga tekniku italian, teksa do të krijonte situatën e ngjashme me atë të Zinedine Zidane, që pas tërheqjes zgjodhi Realin për të marrë mësimet e trajnimit.
Gjithsesi, për momentin raportohet se Modriç e ka refuzuar një propozim të tillë dhe po konsideron alternativa për të vijuar karrierën futbollistike. Prej kohësh, emri i kroatit është i lidhur me një kalim në Arabinë Saudite, por edhe në kampionatin amerikan të futbollit.