Mesfushori Luka Modric u bë lojtari më i vjetër që luan për Real Madridin në histori, pas minutave që zhvilloi të shtunën në fitoren 2:1 ndaj Celta Vigos.
Kroati hyri rreth 30 minuta pa përfunduar loja, por kishte nevojë vetëm për tre minuta për ta bërë ndryshimin, duke asistuar te goli i fitores të cilin e shënoi Vinicius Junior.
Në moshën 39 vjeçare e 40 ditë, Modric u bë lojtari më i vjetër që përfaqëson Madridin, duke thyer rekordin e legjendës Ferenc Puskas.
Modric do të vazhdojë ta rrit këtë rekord sigurisht këtë sezon, meqenëse do të qëndrojë deri në qershor, e ndoshta Reali edhe mund t’ia rinovojë kontratën.
“Kur është titullar, ose hynë nga stoli… ai gjithnjë na ndihmon. Erdhi në një moment të vështirë të lojës dhe e ndryshoi lojën. Është kënaqësi ta stërvitesh atë si lojtar dhe person”.
“Nuk ka shumë për të shtuar. Është futbollist fantastik. Profesionist i pabesueshëm. Njeri i qetë, por me karakter. Real Madridi është më fat që e ka këtë lojtarë”, deklaroi Ancelotti për kroatin.
Modric këtë sezon ka qenë pesë herë titullar në La Liga, ndërsa thuhet se ky vit mund të jetë i fundit për të në fanellën galaktike.