Lajme

Lubonja: Bashkimi kombëtar po përdoret më shumë për demagogji

By GAZETA SCANNER 1

November 29, 2023

Opinionisti nga Shqipëria, Fatos Lubonja, tha se kryeministri, Albin Kurti, që nga ardhja në pushtet, ka hequr dorë nga ideja për bashkim kombëtar, ndonëse sipas tij, Vetëvendosje ishte e vetmja që kishte projekt për një gjë të tillë.

Në kuadër të diskutimit për rrethanat e mundshme të një bashkimi të trojeve shqiptare, Lubonja vlerësoi se kjo çështje tanimë përdorë më shumë për demagogji.

“Vullnetin më të fortë që kam parë gjatë kësaj periudhe, e kam parë të Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit, por tani e shikojmë që kur erdhi në pushtet Kurti, i është dashur t’i konformohet fuqive të mëdha e interesave të tyre dhe nuk paraflet më për bashkimin. Nëse ka një gjë që i dallon shqiptarët më shumë se tjerët, është paaftësia e shqiptarëve për t’u bashkuar, shqiptarët kanë talent për tu përçarë me njëri tjetrin, për të luftuar e sakrifikuar interesin e së gjithës, për interesa të tyre, kështu që në këtë kuptim nuk shoh ndonjë projekt real, për demagogji po e përdorin shumë”, deklaroi Lubonja në emisionin “Këndi i Debatit”.

Megjithatë, Lubonja e pa të largët idenë e një bashkimi të mundshëm kombëtar.

“Ideja e një bashkimi nënkupton një lloj ndryshimi të rendit botëror. Projektet e ëndrrat e shqiptarëve për bashkim, gjithmonë janë kufizuar dhe janë futur nën këmishën e interesave botërore. Me të gjitha komponentet që ka ky konfrontim i ri, përsëri e shoh larg idenë e një bashkimi”, shtoi tutje opinionisti shqiptar në Tëvë1.

Po ashtu, ky i fundit tha se ideja e një bashkimi nënkupton një lloj ndryshimi të rendit botëror.