Botë

Londra si ‘shkretëtirë’, njerëzit izolohen në shtëpi

Londra u shfaq kryesisht e shkretë të shtunën, ndërsa vendi ka hyrë në fundjavën e parë të izolimit në një përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit.

Kryeministri Boris Johnson njoftoi të hënën masa kufizuese gjithëpërfshirëse ndaj veprimtarive të përditshme, përfshirë ndalimin e çdo grumbullimi me më shumë se dy persona, të cilët nuk jetojnë së bashku.

Duke udhëzuar publikun që të “qëndrojë në shtëpi” përveç disa përjashtimeve, zoti Johnson urdhëroi dyqanet që nuk shesin mallra thelbësore, të tilla si ushqime dhe ilaçe, të mbyllen menjëherë.

Të premten vetë Kryeministri njoftoi se ishte prekur nga koronavirusi së bashku me sekretarin e Shëndetit Matt Hancock si dhe zyrtarin më të lartë të Shërbimit Shëndetësor në vendit, Chris Whitty.

Të shtunën në Britani janë regjistruar 14.754 raste me COVID-19 ndërsa 761 vetë kanë humbur jetën si pasojë e virusit.