Sport

Llapi barazon me Gjilanin, Ferizaji e mposht Feronikelin 74

By GAZETA SCANNER 1

August 10, 2024

Xhiroja e parë e Superligës së Kosovës për sezonin 2024/25 nisi me dy ndeshje interesante. Llapi arriti të marrë një barazim 1:1 në minutat e fundit të takimit ndaj Gjilanit, ndërsa Ferizaji fitoi 2:1 ndaj Feronikelit 74.

Nënkampioni i Kosovës, Llapi, ishte mikpritës në takimin ndaj Gjilanit në stadiumin Zahir Pajaziti, që pati epitetin si ndeshja më interesante e javës së parë.

Përballja mes këtyre dy skuadrave ishte e zjarrtë, me disa raste të mira shënimi, e dy gola të shënuara në pjesën e dytë, pasi 45 minutat e para përfunduan 0:0.

Ishte Oltion Bilali që shënoi për Skifterët në minutën e 50-të për rezultatin 1:0.

Por, Llapi nuk lejoi të mposhtej në shtëpi. Ishte Ahmed Januzi që shënoi në minutën e 88-të, për të barazuar rezultatin në 1:1.

Me këto shifra, përballja në Zahir Pajaziti u mbyll, me të dy skuadrat që pretendojnë kreun e tabelës e që pas xhiros së parë kanë nga një pikë.

Në anën tjetër në Ferizaj, u zhvillua takimi mes skuadrës së promovuar në Superligë, FC Ferizaj dhe Feronikelit 74 që me vështirësi mbijetoi në sezonin që lamë pas.

Ferizaj e mbylli pjesën e parë në epërsi, kur në minutat shtesë shënoi Edon Sadriu për 1:0.

Teksa pak minuta pasi filloi pjesa e dytë vendasit dyfishuan, pas një autogoli të shënuar nga Feronikeli 74.

Ferizajit në këtë takim iu anuluan tre gola nga VAR.

Krejt çfarë Feronikeli 74 arriti të bënte në këtë takim ishte goli i shënuar për 2:1 nga Hasan Hyseni në minutën e 75-të.