Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka vizituar punimet në Kalanë e Vuçakut, të filluara më 2017, ku ka takuar arkeologun Sami Haziraj me ç’rast u informua për gjetjet e rëndësishme të ditëve më parë, raporton Scanner.
Përgëzime arkeologëve të angazhuar në këtë projekt, njëherësh i inkurajojmë të vazhdojnë me punën duke ndriçuar të kaluarën tonë dhe të vendit gjatë periudhave të ndryshme historike, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i tij në fb:
Sot, me bashkëpunëtorë, e vizitova Kalanë e Vuçakut, për tu njohur nga arkeologu Sami Haziraj, për zbulimin e para disa ditëve, për kushtet e rrethanat në të cilat po zhvillohen këto gërmime, sepse për disa ditë isha jashtë vendit.
Në komunën e Drenasit, kanë filluar të dalin në dritë artefakte arkeologjike nga gërmimet e fundit të arkeologëve tanë. Lajmi i mirë është se u zbulua një altar i shekullit të III-të i Epokës sonë, i cili aktualisht gjendet në Prizren.
Kalaja e Vuçakut, ndodhet rreth 12 kilometra në jugperëndim të Drenasit, shtrihet mbi dy kreshta shkëmbore dhe ka qenë një pikë e rëndësishme gjeostrategjike që nga antikiteti. Kjo u dëshmua me muret rrethuese, mbrojtëse dhe banimit të hershëm, ku u zbulua spolia me shkrim dedikuar një perandori romak.
Gërmimet arkeologjike në Kalanë e Vuçakut kanë filluar në vitin 2017 nga Instituti Arkeologjik i Kosovës, nën udhëhqjen e arkeologut Shafi Gashi. Megjithatë, sado premtuese ishin gërmime, ato u ndërprenë në vitin 2019 për shkak të mungesës së buxhetit, ndërsa në kohën e pandemisë, gërmimet u ndërprenë plotësisht dhe rifilluan me sukses në vitin 2024.
Në këto gërmime të reja, është zbuluar një altar romak në murin rrethues të kalasë, i cili daton në gjysmën e parë të shekullit III të Epokës së Re. Ky altar është një spolie i ripërdorur në ndërtimin e kalasë gjatë periudhës së Justinianit (527-565).
Zbulimet arkeologjike tregojnë për vazhdueshmërinë e jetës në këtë vend nga parahistoria, në mesjetë e deri më sot, duke zhvendosur kufijtë dhe hartat e pranisë së monumenteve kushtuar perandorëve romakë si dhe artefakteve të hershme duke përfshirë enë tryeze dhe amfora transporti.
Ky zbulim tregon se Kalaja e Vuçakut ka qenë një vend i rëndësishëm për jetën shoqërore në zemrën e Kosovës, duke qenë në lidhje me Kalanë e Vërbocit dhe Gradinës së Llapushnikut, të cilat do të hulumtohen dhe harta arkeologjike do të pasurohet për komunën tonë dhe Kosovën si destinacion turistik-arkeologjik me vlera të mëdha.
Përgëzime arkeologëve të angazhuar në këtë projekt, njëherësh i inkurajojmë të vazhdojnë me punën duke ndriçuar të kaluarën tonë dhe të vendit gjatë periudhave të ndryshme historike. Megjithëse niveli qendror do të duhej të ishte përgjegjës për investimet në këtë drejtim, do të shohim mundësinë për të ofruar përkrahje edhe nga komuna.
E falënderova Samiun dhe bashkëpunëtorët e tij për shpjegimet dhe punën e shkëlqyer që po bëjnë.
Ju lumtë arkeologëve dhe të gjithë atyre që me durim dhe fakte po e shpjegojnë të kaluarën tonë dhe po nxjerrin në dritë dëshmi historike për Kosovën.
https://www.facebook.com/share/477UeEBPSgwkpMsv/?mibextid=WC7FNe