Lajme

Lladrovci: Statistikat e dhunës mbi fëmijët e Kosovës – statistika më tragjike në historinë e re të Evropës

By GAZETA SCANNER 1

April 15, 2024

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në koncertin e organizuar për nderim të fëmijëve të rënë për lirinë e Kosovës, nën udhëheqjen e Prof. Hajzer Gjoshit, me nxënësit e dy shkollave të kësaj komune.

“Drejtësia ende nuk ka vepruar kundër organizatorëve të këtyre krimeve e as ekzekutorët e tyre. Ne kurrë nuk do të harrojmë të kaluarën tonë, vuajtjet e qytetarëve, në veçanti vuajtjet e fëmijëve tanë”, ka theksuar Lladrovci.

Postimi i Lladrovcit në fb:

Me rastin e koncertit dedikuar Fëmijëve të rënë për lirinë e Kosovës, në prani të familjarëve të dëshmorëve, martirëve e qytetarëve, personaliteteve të ndryshme, nxënësve e mysafirëve, theksova se “Liria e Kosovës ishte ideal i gjeneratave të tëra, për të cilët punuan e sakrifikuan shumë breza. Rrethanat nën okupim, përfshinin angazhimin për çlirim të gjitha strukturat shoqërore, pjesëtarët në familje, nxënësit në shkolla, universitete dhe të gjitha moshat. Në rrugën tonë për liri, okupatori godiste ku ishte më e dhimbshme, fëmijët e nxënësit tanë, përjetuan hetime, tortura, helmime dhe vrasje”.

Me këtë rast kam përgëzuar dhe falënderuar organizatorët e këtij koncerti, stafin dhe arsimtarët e shkollës “Halil Bajraktari” dhe “Ali Gashi”, në veçanti Profesorin Hajzer Gjoshin.

Më tej, theksova se “ky koncert në nderim për fëmijët e rënë për liri, përkon me përvjetorin e njërës nga masakrat më të tmerrshme, të ndodhur në Poklek, 25 vjet më parë. Kujtojmë po ashtu me nderim dhe përkulemi para sakrificës së qytetarëve tanë, ku pësuan pleq, gra e fëmijë edhe në masakrën e Likoshanit, Abrisë, Çikatovës, Gllobarit, Vërbocit, Shtuticës, dëshmorëve e martirëve gjithandej komunës së Drenasit. Është përvjetor që na rikujton rrugën e popullit tonë për liri dhe çmimin e lirisë. Na përkujton përkushtimin e UÇK-së dhe popullit tonë, për liri e shtet të lirë e sovran”.

Një studiues i krimeve të luftës ka deklaruar se “nga janari deri më 12 qershor 1999 janë vrarë ose evidentohen të zhdukur 1.432 fëmijë, nën moshën 18-vjeçare, apo më tepër se 11 për qind e viktimave të përgjithshme të të vrarëve në Kosovë. Kjo statistikë për dhunën mbi fëmijët është më tragjikja në historinë e re të Evropës”.

Në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999 ka pasur 12.843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1.741 femra, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2.261 dëshmorë. Janë të vrarë 1.432 fëmijë deri në 18 vjeç, ndërsa 296 fëmijë deri në 5 vjeç.

Po ashtu, theksova se “drejtësia ende nuk ka vepruar kundër organizatorëve të këtyre krimeve e as ekzekutorët e tyre. Ne kurrë nuk do të harrojmë të kaluarën tonë, vuajtjet e qytetarëve, në veçanti vuajtjet e fëmijëve tanë. Sot, ne punojmë me tërë mundësitë, për të tashmen e të ardhmen tonë, për fëmijët tanë, të kenë kushte, mundësi e gjasa të barabarta, mirëqenie, siguri dhe të ardhme të ndritur, duke kujtuar e nderuar të djeshmen tonë dhe sakrificën e fëmijëve për liri. Lavdi dëshmorëve e martirëve të kombit! Nderim i përjetshëm për çdo sakrificë të fëmijëve tanë për lirinë e Kosovës! Faleminderit!

https://www.facebook.com/share/sGujLP53k71rGrFh/?mibextid=WC7FNe