Lajme

Lladrovci përkujton heronjtë Bekim Berisha, Bedri Shala, Elton Zherka e Përmet Vula

By GAZETA SCANNER 1

August 10, 2024

Me rastin e përvjetorit të rënies heroike të Bekim Berishës – Abeja, Bedri Shalës, Elton Zherkës e Përmet Vulës, kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka shkruar se gushti i vitit 1998 ishte muaj ku ranë shumë heronj e dëshmorë gjithandej fronteve kundër armikut shekullor.

“Gushti i vitit 1998 na i pat përvëluar zemrat, ishte muaj ku ranë shumë heronj e dëshmorë gjithandej fronteve kundër armikut shekullor. Në vijën e parë të frontit, më 10 gusht, ranë heroikisht Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka e Përmet Vula. Njohja me Abenë dhe Bedriun, ma shtoi dhimbjen për humbjen e pakompensueshme në rrugën e çlirimit, për heroizmin e udhëheqësve emblematik të UÇK-së, të cilët nuk zmbrapseshin para makinerisë vrastare të armikut”, ka shkruar Lladrovci.

Ai ka deklaruar se “humbjet e atyre ditëve, na tronditën shumë, humbëm disa nga personalitetet më të dëshmuara luftarake të frontit, udhëheqës shembullor dhe motivues të fuqishëm për ta larguar armikun nga Kosova. Në njërën anë shtoheshin sulmet barbare, në anën tjetër, heronjtë tanë, prijësit ushtarak i dilnin përball armikut me çmimin e jetës”.

“Abeja, Bedriu dhe heronjtë e UÇK-së, përjetësisht do të kujtohen dhe mbesin model për gjeneratat, për vlerën e lirisë dhe Atdheut. Përgjithmonë do t’i kujtojmë me nderim”, ka shkruar Lladrovci në fund.

https://www.facebook.com/share/p/LSGFoy2K5jNGEawE/?mibextid=WC7FNe