Me një seancë solemne, në Asamblenë e Komunës së Drenasit, sot, është akorduar titulli “Qytetar Nderi” për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me propozim të kryetarit Ramiz Lladrovci. Propozimi është votuar njëzëri më 27.10.2022.
“Ju vlerësoni guximin e bijave dhe bijve më të mirë të kombit, në rrugën për çlirimin e Kosovës, sepse i njohët plagët dhe lotët tanë për më të dashurit tanë që nuk arritën ta shohin Kosovën e lirë”, ka shkruar Lladrovci.
Postimi i plotë i tij:
Me rastin e akordimit të titullit “Qytetar Nderi” për Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e atij, Bajram Begaj, para të pranishmëve, mbajta këtë fjalë rasti:
Jemi mbledhur në këtë seancë solemne, për ta akorduar titullin “Qytetar Nderi” për Presidentin e Shqipërisë, SH.T.Z. Bajram Begaj, profesor doktor dhe gjeneral i Ushtrisë shqiptare.
Falënderoj të gjithë asamblistët të cilët njëzëri, aprovuan propozimin tim më 27 tetor 2022.
Kjo më bën krenar me Asamblenë e Komunës së Drenasit që përfaqësojnë 58 mijë qytetar.
Shkëlqesia Juaj, President Begaj,
Ju jeni në komunën me performancën më të mirë komunale në nivel vendi, vite me radhë, me transparencë e llogaridhënie, për vendime demokratike dhe barazi para ligjit.
Ju jeni në komunën e cila i dha shumë kombit dhe shtetit, lirisë dhe shtetndërtimit.
Ju jeni në komunën në qendër të Kosovës, në zemrën e Kosovës. Komunë me perspektivë për investime, zhvillim e përparim.
Kjo anë për një shekull ishte e djegur e përvëluar por kurrë e nënshtruar ndaj ish Jugosllavisë, as ndaj Serbisë. Qëndruam të pathyer. Disa qindra metra larg nga këtu u zhvilluan aksionet e para të UÇK-së, në vitin 1992 dhe 1994.
Sulmet kundër okupatorit në komunën tonë, vazhduan e kurrë nuk u ndalen, deri në çlirimin e vendit. Deri te çlirimi, ishte rrugë me shumë dhembje, gjak e lot. Në komunën tonë kemi dhjetëra varreza masive, me qindra dëshmorë e martirë.
Si territor bëjmë pjesë me 2.66 %, ndërsa Kosovës i dhamë dëshmorë e martirë mbi 8 %.
Z. President,
Kjo flet shumë për komunën e Drenasit, sepse, secili asamblistë këtu dhe familje e komunës tonë, ka pjesëmarrës në luftën çlirimtare, ka dëshmorë, martirë, të plagosur apo të burgosur politik nga okupatori serb.
Nga shtypja e rëndë, ne u ngritëm në luftë.
Komandanti ynë legjendar, Adem Jashari me Jasharajt legjendarë, u bë epokë lirie.
Jo larg nga këtu, është Sheshi “Fehmi Lladrovci”, aktualisht duke u rindërtuar, ku janë përjetësuar në shtatore bronzi më meritorët e lirisë tonë, Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Adem, Hamëz dhe Shaban Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiqina, Ilaz Kodra dhe Dr. Hafir Shala.
Para dhjetë ditëve, ne shënuam 25 vjetorin e çlirimit, ne të gjithë i bartim dhimbjet e plagët, kujtimin e nderimin e përjetshëm për dëshmorët e martirët e kombit. Liria pa sakrificë, ishte e pamundur. Ne jemi krenar për këtë.
Zotëri President,
Ne kemi këtu heronj të gjallë, por, shumë nuk gjenden në këtë seancë solemne.
Sot, me neve nuk janë fizikisht, heronjtë tanë të luftës dhe paqes, Hashim Thaçi. Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi dhe të tjerët që po e bëjnë betejën e fundit për vlerën sublime dhe misionin e UÇK-së.
Këtu janë të pranishëm vëllezërit e tyre, i falënderoj për praninë në këtë seancë solemne.
I dashur President,
Gjatë karrierës Tuaj ushtarake, keni shërbyer në pozita të ndryshme drejtuese në Forcat e Armatosura, si: zëvendësdrejtor i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”; drejtor i Përgjithshëm i Spitalit Ushtarak Qendror Universitar; drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, me poste tjera me rëndësi ushtarake dhe shëndetësore.
Ky jetëshkrim i shkurtër i juaji, lidhet me epokën më të ndritur të Kosovës dhe popullit të saj. Karriera juaj profesionale dhe ushtarake, lidhet me epokën e Luftës tonë Çlirimtare dhe shtetndërtimin e Republikës së Kosovës.
Ju më së miri e njihni vullnetin e ushtarëve tanë që të shëroheshin sa më parë dhe të ktheheshin në vijat e frontit,
Ju vlerësoni guximin e bijave dhe bijve më të mirë të kombit, në rrugën për çlirimin e Kosovës, sepse i njohët plagët dhe lotët tanë për më të dashurit tanë që nuk arritën ta shohin Kosovën e lirë.
Në duart tuaja, shumë pacientë i hapën sytë pas operacioneve dhe anestezionit.
Ju i trajtuat të plagosurit tanë, ju ofruat shërim, shpresë e besim për të gjithë të plagosurit, në veçanti ata që vinin nga vijat e frontit.
Ju zotëri President, keni shëruar plagët e ushtarëve tanë të plagosur ballas me armikun, dhe jeni marrë edhe me shërimin tim, dhe gjeneralit të pranishëm këtu, Sylejman Selimin.
Kjo vepër Juaja humanitare, përbën lidhjen e pashkëputshme me idealet tona për çlirim dhe suksesin e misionit Tuaj si mjek e atdhetar.
Prandaj, e meritoni titullin “Qytetar Nderi”.
Për kontributin e shquar për Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj në skenën ndërkombëtare, fuqizimin e shtetit dhe shtetësisë kudo jetojnë shqiptarët, përafrimin me vlerat demokratike, për angazhimin humanitar para luftës dhe gjatë luftës çlirimtare për të gjithë të plagosurit, në veçanti ushtarët e plagosur të UÇK-së.
Me përkushtim, ju Shkëlqesi President Begaj, promovoni vlerat e shqiptarëve, duke qëndruar fort të lidhur me të drejtat, barazinë, paqen e mirëkuptimin ndërmjet popujve dhe shteteve në rrugën e proceseve integruese euro-atlantike.
Shkëlqesia Juaj, zotëri President, ju çdo ditë po e ngritni lartë çështjen e Kosovës në të gjitha agjendat brenda dhe jashtë vendit.
Jo vetëm se e keni obligim kushtetues, por pse na i njihni mirë mundimet, plagët dhe përkushtimin tonë për liri.
Me aleatët, arritëm ta fitojmë luftën, tashmë, lufta është ta fitojmë paqen. Ne po punojmë shumë në proceset integruese euro-atlantike.
Të nderuar të pranishëm,
Titulli i sotëm “Qytetar Nderi” i komunës së Drenasit që po i jepet Shkëlqesisë së Tij, Presidentit Begaj për neve është privilegj.
Me këtë titull, njëherësh kemi nderuar një personalitet të shquar ushtarak e humanist, personalitet të përgjegjësive institucionale dhe atdhetar, Profesorin, Gjeneralin, Presidentin e Republikës së Shqipërisë.
Presidenti Begaj rrezaton besim, përkushtim dhe vendosmëri, për Shqipërinë, për Kosovën dhe kombin, brenda dhe jashtë vendit.
Më shumë se kurrë, na duhet unitet, sepse, jemi në shekullin tonë, duke u bërë pengesë e patejkalueshme për fqinjët dhe orekset grabitçare që synojnë të na kthejnë në shekullin e kaluar, të mbushur me luftëra, shpërngulje, ikje dhe varreza masive.
Të gjithë bashkë, këtë nuk guxojmë ta lejojmë, as bëhemi vegla të ideologjive larg vlerave e rrugës së shtruar nga Skënderbeu e deri te heronjtë, dëshmorët dhe martirët e kombit nga lufta e fundit çlirimtare.
Nga sot, komuna e Drenasit – zemra e Kosovës, ka “Qytetar Nderi”, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Shkëlqesinë e tij, z. Bajram Begaj.
I dashur President, urime!
Ta mbani me nder e krenari këtë titull, ashtu siç ne jemi krenar me Juve, me angazhimin Tuaj përbashkues!
Urime! Faleminderit!
P.S.
Falënderoj të pranishmit në Seancë, asamblistët, përfaqësuesit e Presidencës, deputetët, ish komandantët e Zonave dhe Brigadave të UÇK-së, veteranë të UÇK-së e familjarë të dëshmorëve, si dhe kryetarët e komunave të katër subjekteve politike, të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe të Vetëvendosjes.
Faleminderit, përgjithmonë mirënjohës!
https://m.facebook.com/story.php?story_fbid=pfbid02uMRJRwLuPgZT2h48wCY54sabUYp6oYwfp76LT7mifDUnMN2FGbpyEMcYHmMXnPrKl&id=1653723698&mibextid=WC7FNe