Lajmest-slider

Lladrovci: Më 14 nëntor qytetarët e Drenasit do ua tregojnë vendin keqbërësve

Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit dhe kryetari aktual i kësaj komune, Ramiz Lladrovci, ka thënë se më 14 nëntor qytetarët e Drenasit do ua tregojnë vendin keqbërësve.

“Keqbërësit nuk do të jenë kurrë më shumë se na, as më të mirë se na, andaj, më 14 Nëntor, me qytetarët, do t’ua tregojmë vendin. Pas 14 nëntorit, Bedeli, do të largohet nga skena politike, ndërsa keqbërësit, nëse nuk lodhen, pas katër viteve do të duhet të gjejnë bedel të ri”, ka shkruar Lladrovci në Facebook.

Postimi i plotë:

Kur e kam marrë përgjegjësinë dhe detyrën për ta drejtuar komunën, unë kam pasur dy rrugë.

Njëra rrugë ishte ose të vazhdoj gjendjen e cila ishte në komunën e Drenasit, koekzistencën me gjendjen dhe gjumin, ose të bëj ndryshimin dhe të zbatojë premtimin që ia kisha dhënë frymëzuesit tim dhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit, për ta bërë Drenasin komunë shembull të punës, ligjshmërisë dhe qeverisjes së mirë.

Me tërë qenien time, me bashkëpunëtorë, qytetarë e zyrtarë të komunës, arritëm me përkushtim të bëjmë shumë punë të mira dhe të realizojmë zotimin për të qenë komuna me qeverisjen më të mirë, për çka morëm edhe grant me vlerë mbi 750 mijë euro.

Kjo tashmë i takon historisë tonë të afërt, por, keqbërësit nuk u ndalën të flasin ato që mua si Ramiz Lladrovci, nuk më takojnë as t’i imagjinoj, as t’i them e as t’i bëj.

Megjithëse morëm shumë vota, shumë më shumë se kundërshtarët e PDK-së, ne jemi në balotazh.

Gara për pak ditë fillon sërish, me parimet e njëjta: Zbatimi i ligjshmërisë, transparencës dhe llogaridhënies. Dihet, zbatimi i ligjit nuk negociohet.

Keqbërësit nuk do të jenë kurrë më shumë se na, as më të mirë se na, andaj, më 14 Nëntor, me qytetarët, do t’ua tregojmë vendin.

Pas 14 nëntorit, Bedeli, do të largohet nga skena politike, ndërsa keqbërësit, nëse nuk lodhen, pas katër viteve do të duhet të gjejnë bedel të ri.

Me nderime, Ramiz Lladrovci