Lajme

Lladrovci evidenton disa nga shkaqet e uljes së numrit të popullsisë: Është e dhimbshme

By GAZETA SCANNER

September 10, 2024

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, mori pjesë në Konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Qeverisjen Lokale, në debatin me temë “Ndikimi i regjistrimit të popullsisë 2024 në financimin e komunave”, raporton Scanner.

Ai ka evidentuar disa nga shkaqet e uljes së numrit të popullsisë, pas regjistrimit të popullsisë të këtij vitu, gjë e cila ndikon edhe në grantin qeveritar

Postimi i plotë i Lladrovcit:

Në Konferencën e organizuar nga Instituti i Kosovës për Qeverisjen Lokale, mora pjesë në debatin me temë “Ndikimin e regjistrimit të popullsisë 2024 në financimin e komunave”.

E falënderoj Institutin për ftesën, ndërsa në debatin pas referimeve të pjesëmarrësve, theksova disa nga shkaqet e uljes së numrit të popullsisë në komunën e Drenasit.

Pa pretenduar që shkaqet të jenë shteruese, theksova po ashtu se Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka qenë pjesë e mjegullës së krijuar rreth koeficientëve të ndërtimit në qytetin e Drenasit. As sot e kësaj dite, MAPL nuk e ka demantuar propagandën e opozitës lokale kundër meje, se kinse unë i kam ndaluar ndërtimet në Drenas dhe qytetarët po shpërngulen dhe ndërtojnë në komunat tjera për shkak të ndalesave. Çështja ishte te zbatimi i ligjit edhe rreth koeficientëve të ndërtimit, nga 6.8 të paligjshëm në 3.5 ligjor e legal.

E dyta, është çështja e komasacionit, ligj që po e dëmton komunën tonë, por edhe disa komuna tjera, duke e kufizuar shfrytëzimin e pronës, ndërtimin e shtëpive, legalizimin e shtëpive, kolateralin për nevojat e qytetarëve si dhe zhvillimin e gjithanshëm të biznesit dhe ekonomive familjare.

Çështja e tretë që kufizon mirëqenien e familjeve tona, është përfshirja e fëmijëve parashkollor në çerdhe dhe edukimin parashkollor. Nuk bëhet fjalë për objekte sepse ato mund t’i ndërtojmë edhe me forcat tona, çështja është te kufizimi total rreth rekrutimit të personelit dhe mirëmbajtja e objekteve.

Çështje tjetër është auditimi i cili na ka vlerësuar gabimisht për kontratën kolektive, me ç’rast jemi penalizuar dhe kemi humbur rreth 3 milionë euro. Për këto çështje, të adresuara, në mbrojtje të interesit të qytetarëve të Drenasit, kam ngritur edhe padi ndaj disa ministrive.

Është e dhimbshme të kemi ulje të numrit të banorëve në komunën e Drenasit, megjithatë, shkaqet, theksova në debat, duhet kërkuar edhe te kufizimet që po i përjetojmë, pa të drejtë. Pushteti lokal është përgjegjësi përtej përgjegjësisë politike, në shërbim të të gjithë qytetarëve!

https://www.facebook.com/share/p/W9nFL2HFjvBpAnFX/?mibextid=WC7FNe