Lajme

Lladrovci aktivizon Shtabin emergjent për shuarjen e zjarrit në Fabrikën e Plastikës

By GAZETA SCANNER 1

March 11, 2024

Aktivizohet Shtabi emergjent i komunës së Drenasit, pas shpërthimit të zjarrit në Fabrikën e Plastikës, në Qendrën e Biznesit Drenasi I, në krye të të cilit është kryetari i komunës, Ramiz Lladrovci.

Sot, para dite ka shpërthyer zjarr i madh, në Fabrikën e Plastikës në Qendrën e Biznesit Drenasi I dhe me këtë rast, zjarrfikësit e Drenasit, ka shkuar në vendin e ngjarjes, njëherësh kanë ftuar kolegët e komunave tjera për ndihmë në shuarjen e zjarrit.

“Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, njëherësh kemi aktivizuar Shtabin emergjent komunal. Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera”, ka deklaruar z. Lladrovci.

Në përkrahje të zjarrfikësve të Drenasit, kanë arritur edhe njësitë tjera zjarrëfikëse nga Malisheva, Skenderaji, Lipjani e Prishtina.

Zjarri ka përparuar shumë shpejtë sepse ka erë e cila po e ndihmon përhapjen e flakëve dhe lënda e parë që po digjet.

Kryetari i Drenasit Ramiz Lladrovci, ka dalë në vendin e ngjarjes, duke shprehur keqardhje te pronarët e fabrikës, për dëmet në fabrikë, pajisje, objektet, si dhe materialit riprodhues.

Lladrovci ka konfirmuar se është aktivizuar Shtabi emergjent për rastin, njëherësh ka falënderuar të gjithë ata që po marrin pjesë në shuarjen e zjarrit dhe pret përkrahje edhe nga niveli qendror.

Tashmë, tymi i madh nga djegia e fabrikës ka arritur në vendbanimet e fshatrat e Drenasit me ç’rast qytetarët kanë ankesa për ndotjen dhe dëmet që po ju shkaktohen.