Lajme

Lista Serbe: Populli serb nuk merr pjesë në regjistrimin e popullsisë

By GAZETA SCANNER 1

April 05, 2024

Sot nis zyrtarisht regjistrimi i popullsisë në Kosovë, që do zgjasë nga data 5 prill deri më 17 maj.

Megjithatë, partia më e madhe nga radhët e pakicës serbe në vend, Lista Serbe, përmes një njoftimi ka bërë të ditur se qytetarët serbë nuk do të marrin pjesë në këtë proces.

“Pjesëmarrja në proceset e organizuara nga Kurti, do të ishte poshtërimi më i madh për popullin tonë”, ka thënë kjo parti. Madje sipas tyre, “Kurti dëshiron ta konfirmojë suksesin e tij të turpshëm në dëbimin e serbëve”.

Ndër të tjera, ata i kanë bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që “të ndalojë përkrahjen e persekutimit të popullit serb me heshtjen e saj”.

“Regjistrimi në këto rrethana të represionit të përditshëm ndaj popullit tonë dhe pa kthimin e 250.000 të shpërngulurve do të ishte legalizim i pastër i spastrimit etnik që u bë kundër popullit tonë nga viti 1999 e deri më sot. Ndoshta Kurtit dhe juve nuk ju shqetëson dhe ndoshta e keni forcën në dispozicion, por populli serb nuk do të pranojë të jetë bashkëpunëtor në atë punë të pistë”, ka thënë mes tjerash kjo parti serbe.

Pjesëmarrja në regjistrim të popullsisë kërkohet me ligj dhe në rast refuzimi, qytetari mund të ndëshkohet me 30 deri në 2,000 euro.