Zyrtarët e Listës Serbe thonë se kanë marrë mesazh të qartë nga Washingtoni zyrtar. Dy prej udhëheqësve të kësaj partie, më të madhes së serbëve në Kosovë, qëndruan për vizitë në SHBA dhe në një intervistë për Zërin e Amerikës thanë se është e pakuptimtë të flitet për zgjedhje të reja pa shtensionim të situatës. E shtensionimin e shohin përmes asaj që po bën Qeveria.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, subjektit kryesor politik të serbëve të Kosovës, Igor Simiq, u shpreh se pa shtensionimin e situatës në veri të Kosovës është e pakuptimtë të flitet për zgjedhje të reja.
Në një intervistë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, pas vizitës që së bashku me zyrtarin tjetër të Listës Serbe, Slavko Simiq, bënë në SHBA, tha se atyre u janë përcjellë mesazhe të qarta nga Washingtoni, por nuk tregoi për çka bëhet fjalë saktë.
Ndërkohë kushtet e Listës Serbe për këto zgjedhje janë reduktuar në një, në atë që ka pranuar Qeveria ta bëjë – tërheqjen e njësive speciale të policisë nga ndërtesat komunale.
“Në një atmosferë frike për mbijetesën dhe sigurinë e popullit serb, është e pamundur të zhvillohet një fushatë normale. Është e nevojshme që ato njësi të posaçme të tërhiqen, kjo është kërkesa e serbëve, kërkesa e Bashkimit Evropian dhe kërkesa e SHBA-së”, ka thënë Simiq.
Qeveria e Kosovës, bazuar në Marrëveshjen e Bratislavës, ka nisur tërheqjen e njësive speciale nga ndërtesat në veri në masën 25 për qind. Po ashtu, ka paralajmëruar mbajtjen e zgjedhjeve pas verës.
Më herët, Bashkimi Evropian pati paraqitur një plan 3-pikësh për uljen e tensioneve, e që parashihte: pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.
Simiq gjatë intervistës nuk pranoi të thotë nëse Lista Serbe do të marrë pjesë në zgjedhjet e reja.
“Pa u plotësuar kushtet që na kanë vënë qytetarët, nuk mund ta diskutojmë mundësinë e zgjedhjeve”, deklaroi ai.
Ai ka mohuar se Lista Serbe është e varur nga Beogradi. Por tha se populli serb në Kosovë pa Beogradin s’do të mund të ekzistonte.
Serbët bojkotuan zgjedhjet e 23 prillit në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin-Potok e Leposaviq.
Më pas, kur kryetarët e zgjedhur u vendosën në ndërtesat kryesore komunale me asistimin e policisë, nisën trazirat e serbëve. Ato arritën kulmin më 29 maj, kur u lënduan 93 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.
Simiq i pyetur për këtë dhunë, si përgjigje dha: “I keni harruar edhe 53 serbë të lënduar”.