Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj Elmendin Rakës lidhur me akuzën për zjarrvënien në objektin e Gjykatës në Kaçanik.
Shpallja e aktgjykimit u bë të enjten, nga kryetari i trupit gjykues, Kushtrim Shyti.
Sipas këtij aktgjykimi, të akuzuarit Raka po ashtu i ndërpritet edhe masa e paraburgimit nga dita e sotme.
Gjykatësi Shyti në arsyetimin e këtij aktgjykimi tha se asnjëri nga dëshmitarët e dëgjuar nuk kanë arritur që ta identifikojnë të akuzuarin Raka nëse ishte ai i cili ka kryer veprën penale.
“Po ashtu, nga video-incizimi si prova kryesore që u administrua në këtë shqyrtim gjyqësor, nuk ka arritur që të identifikohet i pandehuri i cili ka mundur që ta kryejë veprën penale”, tha gjykatësi Shyti.
Gjithashtu, gjykatësi theksoi se asnjëra nga provat materiale që janë administruar nga Prokuroria Speciale, nuk kanë vërtetuar faktin kyç që i akuzuari Raka të ketë qenë në vendin e ngjarjes atë ditë kur ka ndodhur ngjarja.
Andaj, sipas gjykatës këto kanë qenë provat kyçe që janë marrë për bazë, kështu që ka marrë aktgjykim lirues.
Shpenzimet e procedurës bien në barrën e mjeteve buxhetore të gjykatës, kurse kërkesë pasurore-juridike në këtë çështje penale nuk kishte.
Palët e pakënaqura kundër këtij vendimi, brenda afatit prej 30 ditësh kanë të drejtë ankese përmes kësaj gjykate në Gjykatën e Apelit./BetimipërDrejtësi