Lajme

Limaj: Sikur të përdorja gjuhën e LVV-së, sot do të thosha që ka marrëveshje Kurti-Vuçiq

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë emisionin Pressing në T7 se po të përdortë gjuhën opozitare të VV-së, sonte do të bënte “kërdi”.

Ai ka thënë se Vv ka shfrytëzuar raste të tilla, sikur ajo e ndërhyrjes në veri të Kosovës, për të fituar poena politikë sa ishte në opozitë.

“Sikur të përdorja gjuhën e LVV-së, sot do të thosha që ka marrëveshje Kurti-Vuçiq. do të thosha se krejt kjo është skenar”, ka thënë Limaj.

“Me dashtë me iu gjujtë sonte VV-së, kisha bo kërdi”, shtoi tutje ai.

Por, Limaj thotë se nuk do të thotë asnjë fjalë sa të jenë policët e Kosovës në veri.

“Sonte do të doja të flas më shumë rreth kësaj teme. Kam shumë për të thënë, por do ta ndaloj veten për të mos thënë edhe shumë gjëra për faktin se ne atje kemi djemtë. Kemi Njësinë Speciale e cila po kryen detyrat që i kanë thënë drejtuesit e tyre. Për respekt të atyre që janë atje e që janë në krye të detyrës unë ftoj që të kemi kujdes kur  flasim për situatën atje”, ka shtuar Limaj.

Ndryshe, që prej vendosjes së masës së reciprocitetit për targat e Serbisë, më 20 shtator, tensionet janë rritur në veri të Kosovës, ku qytetarët serbë po kundërshtojnë këtë masë. Ata kanë bllokuar me makina dhe mjete të tjera rrugët që çojnë për në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Të gjitha automjetet me targa serbe, që hyjnë në Kosovë, duhet t’i heqin targat dhe të vendosin targa të përkohshme të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Prishtina ka thënë se një gjë e tillë praktikohet për vite me radhë nga Beogradi.