Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se koalicioni me AAK-në është lajm i mirë për Kosovën e qytetarët e vendit.
Limaj tha se tash Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e të gjitha forcave politike që kanë çka japin e që duan ta shohin ndryshe pozicionin e Kosovës, zhvillimin e vendit e rrugëtimin gjeostrategjik.
“Duke dëgjuar e respektuar zërin e mijëra njerëzve anë e mbanë Kosovës, se vendi më shumë se kurrë ka nevojë për bashkimin e energjive pozitive, bashkim në diversitet, bashkim në iniciativa. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për një dinamikë të re opozitare, opozitë e fakteve, opozitë e angazhuar, opozitë që kritikon aty ku duhet e opozitë që jep alternativë”.
“Vijmë bashkë me kryetarin Haradinaj me një projekt të ri, të përbashkët, i cili veç ka nisur e është i hapur dhe i ftojmë të gjithë ata njerëz që mendojnë se Kosova më shumë se kurrë ka nevojë t’i bashkojë energjitë, tash është koha për t’i dhënë një dinamikë të re vendit”, tha Limaj.
Tutje, ai tha se me AAK-në vijnë bashkë për ta ndryshuar dinamikën e opozitëbërjes dhe për të kaluar në një alternativë serioze para qytetarëve.
Koalicioni AAK – Nisma është i pari që lidhet mes partive politike për zgjedhjet e përgjithshme që pritet të mbahen në fund të këtij viti apo në fillim të vitit tjetër.