Lille ka arritur ta eliminojë Fenerbahcen nga raundi i tretë kualifikues për Ligën e Kampionëve.
Skuadra franceze barazoi me rezultat 1:1 në Turqi, ndërsa siguroi biletën tutje falë rezultatit të përgjithshëm 2:3.
Derbi mes Fenerit e Lilles doli të jetë mjaftë i “nxehtë” nga fillimi, me të dy skuadrat që kishin raste shënimi por iu mungoi finalizimi.
Fenerbahce në fakt rrezikoi përmes Szymanskit e Allan Saint-Maximin, sidomos me këtë të fundit mirëpo ishte i pafat para portës së francezëve.
Skuadra e Jose Mourinhos arriti të kalojë në epërsi krejt në fund, duke shënuar përmes një autogoli të Bafode Diakite (90+1’), kësisoj ndeshja shkoi në vazhdime.
Derbi në kohën shtesë ishte edhe më interesant, ku të dy skuadrat tentonin të realizonin golin e fitores.
Lille mbeti me një lojtar më pak pasi Aissa Mandi mori direkt karton të kuq pas një ndërhyrje të ashpër, sidoqoftë në fund arritën të kualifikohen tutje.
Ishte Jonathan David që realizoi golin e fitores duke u treguar i saktë nga pika e bardhë pas një prekje të topit me dorë nga mbrojtësi kundërshtar (118’).
Kësisoj, Lille vazhdon tutje ndërsa Feneri do të luajë në play-offin e Ligës së Evropës.