Zëvendësministëri i Drejtësisë, Blerim Sallahu ka kritikuar disa organizata civile të cilat ligjin për konfiskimin e pasurisë po e konsiderojnë antikushtetues.
Sipas tij, këto organizata që më shumë kanë fjetur në degë të opozitës nuk mund të besohen para ekspertëve ndërkombëtarë të cilët thonë se ligji është në rregull.
“Problemi është që përderisa mua ekspertë ndërkombëtarë që kanë punuar në Strasburg, e që kanë punuar në universitete me renome ndërkombëtare e po ashtu në Këshill te Evropës me thonë qe është ne rregull e çohen disa shoqëri civile të vogla që më shumë kanë fjetur në opozitë në degë të opozitës e më thonë mua që ligji është kundër kushtetues. Unë nuk mund të ju besoj atyre se unë ju besoj njerëzve që kanë eksperiencë 30 vjeçare e që kanë pas çekiçin në dorë, që kanë gjykuar çështje të tilla”, ka thënë ai në emisionin “Ditari” në Tëvë1.
Ai ka përmendur si një nga këto organizata edhe Institutin e Kosovës për Drejtësi.
“IKD ka qenë pjesë e grupit punues. IKD ka dhënë rekomandimet e veta. I kemi marr shumicën e rekomandimeve. IKD është në rregull, ka dhënë propozimet e veta edhe ka qenë gjithmonë më neve, por problemi është që kur po del diçka që është kundër kushtetuese po thotë jo ne nuk kemi qenë. Jo ti ke qenë nonstop pjesë e grupit punues”, shtoi zëvendësministri.
Sallahu është shprehur se shoqëria civile vazhdimisht ka qenë pjesë e grupit punues për këtë ligj.
“Shoqëria civile ka qenë gjithmonë pjesë e grupit punues, kanë qenë të ftuar nonstop e tash a kanë ardh a nuk kanë ardh ajo është çështje e tyre por ftesë kanë pasur, plus unë e di se unë vetë kam marrë pjesë në secilin grup punues në atë projektligj dhe kam qenë pjesë brenda atij grupi punues, por tash problemi është se nëse brenda dy tre muajve kemi veprime dhe qëndrime të ndryshme nuk është faji im” përfundoi ai.