Lajme

Ligjëratat e BIK-ut në burgje, nuk mjaftojnë për deradikalizim

Deradikalizimi dhe risocializimi i personave nëpër qendrat e Shërbimit Korrektues në Kosovë, të cilët janë duke vuajtur dënimet me burg për terrorizëm dhe ekstremizëm fetar, vazhdon të mbetet sfidë, vlerësojnë përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës, të organizatave joqeveritare dhe njohës të sociologjisë së religjionit.

Një memorandum ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë së Qeverisë së Kosovës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës, për ligjëratat e përfaqësuesve të kësaj të fundit në burgjet në Kosovë, kishte synuar që të ndikojë në deradikalizimin e personave që janë të dënuar për terrorizëm dhe ekstremizëm të dhunshëm fetar.

Rexhep Lushta, imam në kuadër të Bashkësisë Islame të Kosovës, i cili ka mbajtur ligjërata në dy nga burgjet në Kosovë, ka thënë për Radion Evropa e Lirë, që projekti i Ministrisë së Drejtësisë dhe i Bashkësisë Islame të Kosovës, nuk ka pasur për cak vetëm një grup të burgosurish, por në të kanë qenë të përfshirë të gjithë të burgosurit, pavarësisht nga veprat që ata i kanë kryer. Sipas tij, fatmirësisht, në kohën kur është bërë marrëveshja, nëpër burgjet e Kosovës kanë qenë edhe disa individë, të cilët kanë qenë të akuzuar për terrorizëm, qoftë për pjesëmarrje të drejtpërdrejtë në vatrat e luftës në Siri apo qoftë edhe ata që e kanë përkrahur.

Lushta thotë se ka mbajtur ligjërata në burgun e Dubravës dhe në Mitrovicë e Veriut.

“Ligjëratat kanë qenë të natyrës vullnetare, nuk kanë qenë të obligueshme. Mirëpo, fatmirësia ka qenë aty që të gjithë ata djema, të cilët kanë qenë në burgun e Dubravës, pa hezitim e kanë mirëpritur një veprim të tillë. Normalisht që asnjëri prej tyre nuk e ndjenë veten fajtor për veprat, për të cilat ata janë ngarkuar. Mirëpo, sidoqoftë, mendoj që ata nuk e ndjejnë veten që janë njerëz të radikalizuar. Por, megjithatë, në ligjëratat tona, me këshillat tona, me bashkëpunimin që e kemi pasur me ta, mendoj se ka rezultuar me fryte dhe mendoj që ata djem, kur të dalin nga aty (burgu), vetëm sa do të jenë më të dobishëm për shoqërinë”, tha Lushta.

Shpat Balaj nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë për Radion Evropa e Lirë se me gjithë efektet e dobishme që mund t’i prodhojnë ligjëratat e përfaqësuesve të BIK-ut nëpër burgje, ato janë të pamjaftueshme për rehabilitimin dhe risocializimin e personave të radikalizuar.