Botë

Liderët e BE-së pritet të diskutojnë emrat e rinj në krye të institucioneve të bllokut

By GAZETA SCANNER 1

June 17, 2024

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian, do të mblidhen në mbrëmjen e së hënës në Bruksel, në përpjekjen e parë për të arritur një marrëveshje për emrat e rinj të krerëve të institucioneve të BE-së, Komisionit Evropian, Këshillit Evropian, dhe emrin e ri në pozitën e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.

Ky do të jetë takimi i parë i liderëve evropianë, pas zgjedhjeve të mbajtura në vendet anëtare të BE-së, më 6-9 qershor.

Rezultati i zgjedhjeve do të reflektohet në emrat e rinj në krye të institucioneve evropiane.

Sugjerimet kryesore pritet të bëhen për politikanët që u përkasin partive që kanë fituar më së shumti vota në zgjedhjet evropiane.

Ndonëse në këto zgjedhje është vërejtur rritje e ndjeshme e partive të së djathtës ekstreme, partitë tradicionale të qendrës së djathtë dhe majtë, Partia Popullore Evropiane dhe Social-Demokratët janë renditur në vendin e parë dhe të dytë, respektivisht.