Botë

Libani kërkon hetimin e anijes greke pas shkeljes së ujërave territoriale

Presidenti i Libanit, Michel Aoun i bëri thirrje Forcës Paqësore të Kombeve të Bashkuara në këtë vend (UNIFIL) që të fillojë hetim ndaj anijes greke, që punon për ushtrinë izraelite, dhe e cila shkeli ujërat territoriale të Libanit.

Në deklaratën me shkrim të bërë nga Presidenca e Libanit bëhet e ditur se Presidenti libanez priti në zyrën e tij në Bejrut Komandantin e Forcave Paqeruajtëse të Përkohshme të OKB-së në Liban, Stefano Del Col.

Në takim, Aoun bëri të ditur se vazhdojnë shkeljet e Izraelit në kufijtë detarë, tokësorë dhe ajrorë të Libanit.
Presidenti libanez u shpreh se kundërshtojnë të gjitha sulmet kundër të drejtës legjitime të Libanit në ujërat territoriale dhe nënvizoi se me qëllim që të mbrohet stabiliteti dhe që problemet të zgjidhen përmes dialogut , Libani është i vendosur për ta aktivizuar bashkëpunimin ndërmjet ushtrisë dhe UNIFIL.

Ai bëri të ditur gjithashtu se janë besnikë të rezolutës numër 1701 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 2006, që i dha fund përleshjeve ushtarake ndërmjet organizatës Hezbollah dhe Izraelit.

Sipas lajmeve që zunë vend në median lokale më 9 dhjetor, anija “Med Surveyor” me pajisje teknologjike dhe flamur të Panamasë, e cila i përkiste Greqisë, kaloi muajin e kaluar në hapësirën kontestuese detare ndërmjet dy vendeve dhe bëri kërkime me orë të tëra në rajonin operacional të UNIFIL në ujërat territoriale të Libanit.

Në lajm bëhet e ditur se anija nuk hasi në asnjë pengesë dhe pasi u largua nga rajoni u kthye në hapësirën detare të Izraelit, ku vazhdon aktivitetet e saj që prej datës 1 prill.