Lajme

Lekaj: Zgjedhjet do të jenë befasi për VV-në, kanë humbur mbështetjen e popullit

By GAZETA SCANNER 1

April 01, 2024

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj thotë se partia në pushtet po merret me sondazhe, në vend që të merret me zhvillimin e Kosovës.

Lekaj në një prononcim për GazetaBlic thekson se, VV-ja ka humbur mbështetjen e popullit dhe sipas tij, ky fakt iu ka krijuar dhimbje.

“Pushteti dhe partia e VV-së meqë nuk po merren me qeverisje të mirë, zhvillim e të ardhmen e Kosovës, tani e sa kohë po merren me sondazhe, zgjedhje e debate të kota që për qëllim kanë shtypjen e akuzat ndaj opozitës”, tha Lekaj.

“Vetëvendosja si parti ka rënë shumë në përkrahjen e popullit, prandaj ky fakt brenda tyre ka krijuar dhimbje e urrejtje ndaj të tjerëve”, shtoi ai.

Lekaj ka paralajmëruar se zgjedhjet e ardhshme do të jenë befasi e madhe për pushtetin aktual, teksa shton se VV’ja do të ndëshkohet me vota kësaj here.

“Qytetarët e Kosovës e kanë parë mënyrën e Qeverisjes Kurti dhe janë shumë të zhgënjyer, prandaj zgjedhjet që po vijnë do të jenë befasi për të gjithë e sidomos për pushtetin. Populli me anë të votës din të ngritë por edhe din të ndëshkojë. VV-në kosovarët e diaspora e ngritën si asnjë parti tjetër, ndërsa kësaj radhe do ta ndëshkojnë si asnjëherë tjetër”, tha ai.

“Vendi ka nevojë për zgjedhje dhe mandati është e nevojshme tu kthehet qytetarëve të Kosovës. Vendi ka nevojë për ndryshime, të cilat duhet të vijnë sa më parë që është e mundur”, tha Lekaj.