Lajmest-slider

Lekaj për tarifën prej 5 eurove: Nëse kam nënshkruar kontratë të tillë, atëherë do të kërkoj arrestimin tim

Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka folur për taksën rreth 5 eurosh që është vendosur për automjetet.

Lekaj në emisionin ‘dPt te Fidani’ në T7 tha se e sfidon ministrin aktual të Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe të gjithë të tjerët, sa i përket nënshkrimeve të kontratave të jashtëligjshme.

Ai thotë se asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin.

“Kurrë nuk kam nënshkruar kontratë të jashtëligjshme, dhe ky nëse si kauboji del e nënshkruan një kontratë të tillë, hallall i koftë…Jemi mësuar me VV-në, për të mbuluar mos punën e tyre, për 120 ditë, do të thotë hedhin akuza të pavërteta të pabaza. Askund nuk e kam shkelur ligjin. I sfidoj, me të gjitha kontratat që i kam nënshkruar se nuk e kam shkelur ligjin”, tha Lekaj.

Ai madje tha se nëse publikohet ndonjë kontratë që e ka nënshkruar për këtë taksë, atëherë vet ai do të kërkojë arrestimin e tij.

“Nesër në mëngjes le ta qet kontratën që unë kam nënshkruar diçka të tillë, atëherë përnjëmend i ftoj prokurorinë që të vijnë dhe të më arrestojnë”, tha Lekaj.

Ndryshe, nga një shtatori qytetarëve të Kosovës do t’iu shtohet një kosto shtesë financiare me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Ata do të detyrohen të paguajnë 4 euro e 90 cent shtesë për tikeketën ngjitëse. Kjo pasi Ministria e Infrastrukturës dhe kompania ‘Auto Control Kosova’, ka nënshkruar marrëveshje për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Sipas marrëveshjes qytetarët obligohen të pajisen me tiketa ngjitëse pas regjistrimit të automjeteve të tyre.