Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar pas publikimit të raportit të Freedom House, duke thënë se edhe një raport tjetër konfirmon korrupsion qeveritar.
LDK ka thënë se pas raportit të Departamentit amerikan të Shtetit, tashmë edhe raporti i Freedom House thotë se korrupsion “vazhdon të jetë shqetësim SERIOZ në Kosovë”.
“Nga gjithsej 7 pikë në luftën kundër korrupsionit, Kosova është vlerësuar me vetëm 2.25. Kjo dëshmon edhe njëherë se korrupsioni gjatë kësaj qeverie nuk është luftuar.” – thuhet në reagimin e tyre.
Reagimi i plotë:
EDHE NJË RAPORT NDËRKOMBËTAR KONFIRMON KORRUPSIONIN QEVERITAR
Pas Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, edhe Organizata Amerikane “Freedom House” në raportin e vitit 2024 përmend korrupsionin qeveritar, që sipas tyre “Vazhdon të jetë shqetësim SERIOZ në Kosovë”.
Nga gjithsej 7 pikë në luftën kundër korrupsionit, Kosova është vlerësuar me vetëm 2.25. Kjo dëshmon edhe njëherë se korrupsioni gjatë kësaj qeverie nuk është luftuar.
Lidhja Demokratike e Kosovës, raportin e Freedom House njëjtë si atë të Departamentit Amerikan të Shtetit, e konsideron shqetësues, për arsye se shumë problematika të cilat janë ngritur në këto raporte, vet LDK i ka diskutuar dhe ka ndërmarrë veprime konkrete për t’i zbardhur aferat korruptive.
Në këtë raport përmendet ndër të tjera skandali i Ministrisë së Tregtisë për rezervat shtetërore, për të cilat Lidhja Demokratike e Kosovës ka ngritur zërin në Kuvend dhe kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me procedurat për furnizimin dhe menaxhimin me rezervat shtetërore si dhe keqpërdorimet dhe abuzimet e mundshme me rezervat shtetërore. Por për zbardhjen e këtij skandali nuk pati vullnet nga deputetët e pozitës, dhe sot këtë skandal e ke pjesë të raportit. Pra, të gjithë e kanë kuptuar se qeveria bën propagandë, por nuk e lufton korrupsionin.
“Vet qeveria u përballë me një skandal korrupsioni në vitin 2023, që përfshinte rezerva shtetërore të pallogaritura, të cilat janë ende nën hetim” – shkruan Freedom House për rezervat shtetërore.
Lidhja Demokratike e Kosovës, do të vazhdojë të mbrojë paranë publike, e cila po keqpërdoret nga korrupsioni instalues i Qeverisë. Përderisa do të shfrytëzohen edhe institucionet që personat të cilët kanë bërë vepra të tilla, të dalin para drejtësisë.