Lajme

LDK kërkon themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të Qeverisë

By GAZETA SCANNER 1

March 20, 2024

Lidhja Demokratike e Kosovës ditëve të fundit ka ngritur me shqetësim fenomenin e kontratave direkte të Qeverisë së Kosovës. Vetëm në këtë mandat u zbuluan 781 kontrata njëburimore të nivelit qendror në vlerë prej 209 milionë euro.

Për këtë fenomen shqetësues, LDK kërkoi përballje në Kuvend, të cilës pushteti i iku. Tani, duket se Qeveria po shfrytëzon mekanizma tjerë propagandues përmes ndërmarrjeve publike që kontrollohen nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Kjo u dëshmua dhe me reagimin e fundit të Telekomit të Kosovës. Ky reagim, në tentativë që të demantojë informacionin zyrtar të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në vend se të sqaroj të gjitha rrethanat e 21 milion eurove të kontraktuara direkt, zgjodhi të merret me nënkryetaren e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami.

Nënkryetarja Bajrami ka deklaruar në Kuvend se sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, në mesin e 781 kontratave me negocim direkt, në Telekomin e Kosovës figurojnë 28 kontrata të tilla në vlerë prej 21,310,000 EUR nga marsi i vitit 2021 deri në janar të vitit 2024. Vërtetësinë e këtij fakti mund ta konfirmoni lehtësisht në listën e KRPP, të cilën e gjeni në vegëzën më poshtë.

Qeveria e Kosovës dhe menaxhmenti i Telekomit obligohen të japin llogari për këto kontrata dhe të sqarojnë nëse janë ndjekur procedurat ligjore të prokurimit publik për secilën. Rritja e numrit të kontratave direkte gjatë këtij mandati është shqetësuese për shkak të mundësive të keqpërdorimit të parasë publike.

Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e komisionit hetimor parlamentar për të gjitha kontratat direkte të kësaj qeverie. Ne do t’i shfrytëzojmë të gjitha mekanizmat institucional ligjor e kushtetues deri në zbardhjen e të gjitha rasteve ku ka dyshime për keqpërdorim. Njëkohësisht, kërkojmë nga pushteti që të mos i shfrytëzoj ndërmarrjet publike si mjete për propaganda partiake, por të përballet me ne aty ku e ka vendin – në Kuvend.