Ballina

LDK kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes së drejtorit të RTK-së

By GAZETA SCANNER 1

January 31, 2023

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar për zgjedhjen e njeriut të VV-së, Rilind Gërvalla, si drejtor në programin shqip të RTK-së.

“Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit”, thuhet në reagimin e LDK, transmeton Scanner.

Reagimi i plotë:

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përcjellur me vëmendje procesin e përzgjedhjes së Drejtorit të kanalit në gjuhën shqipe të transmetuesit publik, Radio Televizionit të Kosovës; në veçanti pas shqetësimeve të ngritura për politizim të përzgjedhjes nga organizata vendore e ndërkombëtare që nga shpallja e konkursit.

Përzgjedhja e një aktivisti politik në krye të kanaleve shqip në RTK, përveç se përbën një kapje të plotë të këtij institucioni publik, shpërfaq qartazi dhe tendencën e pushtetit për të institucionalizuar propagandën partiake në kanale publike të informimit.

Informimi i pavarur publik, nga një institucion i financuar nga fondet publike, përbën bazën e një demokracie të shëndoshë dhe të qëndrueshme. RTK-ja, duhet të ketë rol thelbësor në informimin e pavarur dhe të drejtë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, dhe ky rol ushtrohet kur pushtetet nuk përcaktojnë politikat editoriale të kanaleve informuese e nuk vendosin aktivistët e tyre partiak në krye të këtyre institucioneve.

Qytetarët e Kosovës meritojnë një televizion publik të pavarur. Kapja politike e tij është veçse vazhdimësi e politikave të këqija që kanë karakterizuar këtë institucion publik.

Prandaj, Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon anulimin e menjëhershëm të përzgjedhjes në fjalë dhe do të ngrisë temën e kapjes së institucionit të televizionit publik, në Komisionin përkatës parlamentar në Kuvendin e Republikës së Kosovës