Lajme

LDK-ja thotë se mbi 290 milionë euro i humbi Kosova nga sanksionimi

By GAZETA SCANNER

October 06, 2024

Kosova është ende nën masat e Bashkimit Evropian që u vendosën vitin e kaluar. Nga Lëvizja Vetëvendosje shpresojnë që këto të hiqen për shkak se thonë se tashmë janë plotësuar të gjitha kërkesat. E nga opozita akuzojnë Qeverinë se nga moskoordinimi, vendi humbi projekte mbi 290 milionë euro.

Në qershor të vitit të kaluar, Kosova u sanksionua me disa masa nga Bashkimi Evropian.

Shkak për këtë ishin tensionet që ishin krijuar në veri të vendit, me zgjedhjen e kryetarëve shqiptarë atje.

Që nga ajo kohë e deri më tani, masat janë ende në fuqi e ku po vlerësohet se i kanë shkaktuar dëm të madh vendit.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Rrezarta Krasniqi thotë se për shkak të veprimeve të pakoordinuara, Kosovës i janë pezulluar projekte në vlerë deri në mbi 290 milionë euro.

“Unë shpresoj me pasë reflektim nga ana e Qeverisë mirëpo ne çdo ditë po marrim kërcënime edhe për masa tjera, dmth me u largu nga një proces ku është i vetmi proces ku Kosova është e barabartë me vendet e Ballkanit Perëndimor siç është Procesi i Berlinit, të vetmin proces ku mbajnë fotografi të përbashkët ku mbrapa është flamuri i Kosovës ku nuk guxon t’i hiqet dhe aty është presidenti dhe kryeministri serb. Kjo është shqetësuese për vendin tonë se çfarë është duke bërë ky njeri në arenën ndërkombëtare”, tha Krasniqi.

E deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje kërkon që masat e tilla të hiqen, për shkak se sipas tij, i shtojnë apetitin Serbisë për agresion ndaj Kosovës.

“Ne jemi vend që jemi sulmu në një sulm terrorist i sponsorizuar nga Serbia, kurse ne jemi vend nën masa të cilat ende nuk kanë dhënë efekt por që në të ardhmen do të mund të jepnin efekt nëse do të mbaheshin më tepër. Kështu që unë shumë shpresoj dhe kërkesa është e vazhdueshme që këto masa të hiqen për shkak se nuk kanë asnjë kuptim”, tha Alban Bajrami nga VV-ja.

Sipas tij, edhe kërkesat që janë paraqitur nga faktori ndërkombëtar tashmë janë realizuar me mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

“Ne edhe kërkesat që i kanë pasë për zgjedhje të reja në veri i kemi plotësuar, tjetër gjë është se qytetarët serbë nuk kanë marrë pjesë në këtë proces dhe se është diçka për të ardhur keq sepse kanë rënë pre e shantazhit që Beogradi përmes instrumenteve të veta mund t’i bëjë, dhe se shumë shpresoj që të gjitha këto të merren parasysh në vendimin e ri që do duhej të jetë sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ai.

Zyrtarët e BE-së pas vendosjes së masave më 28 qershor të vitit të kaluar, ishin deklaruar se këto janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren. /Tëvë1/