Ballina

LDK-ja ia merr Vetëvendosjes edhe një deputete, Abdixhiku prezanton Drita Millakun

By GAZETA SCANNER 1

October 11, 2024

Lumir Abdixhiku ka njoftuar aderimin e Drita Millakut në LDK.

Deputetja e Vetëvendosjes është ardhja e re në LDK, pas Doarsa Kica-Xhelilit që kishte braktisur partinë e Kurtit për të qëndruar në opozitë me LDK-në.

Drita Millaku, mirë se vjen! Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Drita Millaku, nga sot është pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ajo i bashkohet familjes sonë politike në rrugëtimin e përbashkët që na pret përpara. Ky vendim i saj për të qenë pjesë e radhëve tona është jo vetëm një dëshmi e përkushtimit të saj politik, por gjithashtu një tregues i qartë se vizioni dhe programin i LDK-së për Republikën, është i duhuri sot. Si një figurë e respektuar në Prizren dhe një deputete e mandatuar për dy herë, ajo na vjen si aset i rëndësishëm partiak dhe si kuadër për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Me Dritën kemi diskutuar gjatë për vizionin tonë të përbashkët për republikën; për arsimin në veçanti, për programin tonë politik dhe të ardhmen e vendit tonë. Drita ka një pasion për librin, por edhe për të krijuar mundësi për të rinjtë dhe gratë në Kosovë. Ajo e kupton rëndësinë e bashkëpunimit dhe e sheh ndërtimin e një rrugëtimi të përbashkët si një mënyrë për të realizuar ndryshime të qëndrueshme, ato që sot LDK-ja po i ofron. Besimi i saj në potencialin e Kosovës, së bashku me përkushtimin e saj për arsim janë motive që e bëjnë Dritën tejet të rëndësishme në këtë proces. Drita Millaku shkollimin fillor dhe të mesëm e kreu në Prizren. Fakultetin Filologjik, dega: “Gjuhë dhe Letërsi Shqipe” e kreu në Universitetin e Prishtinës ku edhe mori titullin, “Magjistër e shkencave filologjike”. Për një dekadë rresht punoi në bibliotekën e qytetit të Prizrenit. Në vitin 2013 ajo është zgjedhur asambleiste në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Në vitin 2017, 2021, fitoi mandatin e deputetes si grua më e votuar në Prizren. Drita Millaku është e martuar me Fisnik Millakun dhe ka dy djem Longarin dhe Lumin”, thuhet në njoftimin e LDK-së.