Sport

Lautaro: Fjalët e Contes s’do t’i harroj, dua të fitoj Botërorin me Messin

Lautaro Martinez do t’i mungojë Interit në ndeshjen e fundit të vitit ndaj Genoas për arsye pezullimi.

Argjentinasi ka qenë thelbësor në ecurinë e deritanishme të zikaltërve. Ai thekson se skuadra e Contes duhet të forcohet, sidomos në aspektin mental, për t’i mbyllur me herët ndeshjet.

“Arsyetojmë ndeshje pas ndeshjeje. Forca jonë ka të bëjë me impenjimin e të gjithë lojtarëve, sidomos të atyre që kanë zëvendësuar të dëmtuarit. Duhet të përmirësohemi në përqendrim dhe t’i mbyllim me herët ndeshjet”, tha ai.

Nga Racing, tek Interi: “Ishte vendimi im, kisha oferta të tjera, por i refuzova. Zgjodha këtë klub për historinë, nivelin e lojtarëve dhe përkrahjen që ndjeva. Zanetti? Komunikonim nëpërmjet mesazheve dhe kur mbërrita këtu më dukej sikur po takoheshim pas shumë kohësh”.

Faktori “Conte”: “Stërvitjet e tij janë të forta, por kjo është e kuptueshme kur luan 5 takime në javë. U njohëm shumë shpejt dhe e çmoj pasonin e tij për futbollin. Para ndeshjes me Barcelonën, në “Camp Nou”, më tha një fjali që më bëri të shpërthej në lojë. Do t’i jem gjithmonë mirënjohës. Janë fjalë të çmuara, që do t’i ruaj, sepse janë vetëm për mua”.

Messi dhe Icardi: “Për ne është si Maradona, do të më pëlqente ta ndihmoja që të fitonte Botërorin. E kam ëndërr të luaj në këtë event. Icardi? Kur mbërrita tek Iteri, më ndihmoi që të ambientohesha. Flasim ende, sepse jemi miq, dhe është i gëzuar si po performoj tek Interi. Ketu jam i lumtur, është shtëpia ime, dhe besoj te Conte. Interesimi i klubeve të mëdha tregon se po rritem, duke punuar në mënyrën e duhur. Për mua kjo është gjëja më e rëndësishme”.