Lajmest-slider

Latifi thotë se nuk është pjesë e asnjë forumi të PDK-së

Ish-kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Blerim Latifi, ka bërë me dije se nuk është pjesë e asnjë forumi në partinë e cila drejtohet nga Kadri Veseli.

Latifi i cili ka shërbyer për pesë vjet si këshilltar i Veselit si kryetar i Kuvendit, ka thënë se qëndrimet e tij publike nuk reflektojnë qëndrimet e PDK-së.

“Sqarim për mediet. Mandati i Kadri Veselit si kryetar i Kuvendit të Kosovës ka përfunduar. Rrjedhimisht, edhe emërimi im si këshilltar politik i tij. Unë nuk jam pjesë e asnjë forumi në PDK, as anëtar kryesie, as anëtar i Këshillit Drejtues, as anëtar i ndonjë dege apo nëndege. Rrjedhimisht qëndrimet e mia publike nuk reflektojnë pikëpamjet e PDK-së, në asnjë formë. Prandaj, cilësimi i qëndrimeve të mia si qëndrime të PDK-së është krejtësisht i pasaktë. Është dezinformim. Personalisht vazhdoj të kem konsideratë të lartë për kryetarin e PDK-së dhe këshillat e mia për të mbesin vetëm në nivelin e raportit miqësor dhe joformal. Unë ndihem mirë dhe krenar me bashkëpunimin pesë vjeçar me të. Kjo është e tëra!”, ka shkruar Latifi në Facebook.