Lajme

Latifi i reagon psikiatrit të VV-së: Leksion nga manualet e diktaturave, që kundërshtarin politik me shpallë të çmendur

By GAZETA SCANNER 1

October 26, 2024

As filozofi Blerim Latifi s’ka qëndruar indiferent ndaj një orvatjes së një psikiatri – këshilltar i Kryeministrit të Kosovës – Jusuf Ulaj, për të projektuar si “të çmendur” gazetarët të cilët publikisht ngritën shqetësimit për përgjim dhe përcjellje nga disa struktura të veçanta brenda AKI-së që besohen të jenë në shërbim partiak të Lëvizjes Vetëvendosje.

Latifi e dha me një analizë si leksion nga manualet e vjetra të diktaturave.

Postimi i Latifit:

Vullneti primar i diktaturës është të zhdukë fizikisht kundërshtarin e saj. T’ia mbyll gojën përgjithmonë.

Por nganjëherë krijohen të atilla rrethana objektive që e bëjnë të pamundur përmbushjen e këtij vullneti.

Atëherë ajo, pra diktatura, zgjedh zhdukjen morale të kundërshtarit të saj. Kjo parasheh turpërimin e tij në sytë e popullit.

Duke e imoralizuar kundërshtarin e saj diktatura afirmon mitin e vet të pastërtisë morale.

Por, si për dreq, ndonjëherë edhe zhdukja morale e kundërshtarit nuk bën punë. Atëherë diktatura zgjedh ta psikiatrizojë kundërshtarin e saj.

Pra ta shpallë të çmendur atë.

Përmes kësaj shpalljeje diktatura afirmon idealin e saj për t’u pranuar si përfaqësuese e rendit normal të gjërave.