Sport

Laporte: Messi qëndron nëse zgjidhem president, ja çfarë oferte i refuzova Interit

Kandidati dhe favoriti për president i Barçës, Joan Laporta, mbrojti idenë e tij se zgjedhjet nuk duhet të zvarriten.

Po kështu, këmbëngul se Messi do të mbetet në Barcelonë, nëse i fiton zgjedhjet.

“Messi nuk udhëhiqet nga paratë, ai dëshiron të fitojë përsëri Championsin. Jam i sigurt se do ta pëlqejë shumë projektin tim sportiv. Do t’i bëj një propozim, që mund të përmbushë ambiciet e tij. Messi e di këtë. Ai nuk mund të mashtrohet si në sezonet e kaluara. Unë mendoj se kam një avantazh si kandidat në zgjedhje, për shkak të marrëdhënies dhe vlerësimit reciprok. Nëse Messi më thotë “jo”, Barça vazhdon përpara. Por, është diçka që nuk e mendoj. Ai dëshiron të qëndrojë. Nëse jo, ne do të vazhdojmë”, ka thënë Laporta për mikrofonat e “El Larguero”.

Laporta, gjithashtu pranoi se në të kaluarën kishte marrë oferta për yllin argjentinas, transmeton indeksonline.

“Nga Interi, po. Ishte një shumë për të cilën mbase një president tjetër do të kishte treguar dobësi. Ata folën për klauzolën, unë thashë jo dhe zikaltrit u tërhoqën”, përfundoi kandidati për karrigen e të parit të Barcelonës.