Ballina

Lajthitja e MD-së për pagesat e avokatëve të të akuzuarve në Hagë

By GAZETA SCANNER 1

September 01, 2024

“Mendojmë që si Republikë e Kosovës, si qeveri e Republikës së Kosovës, fokusi jonë duhet të jetë që të adresojmë kërkesat e ekipeve mbrojtëse që akuzohen për krime lufte. Sepse ky në fakt është qëllimi i ligjit për mbrojtjen financiare. Mirëpo mendoj që për personat që akuzohen për pengim të drejtësisë, unë mendoj se kjo nuk i bën mirë as vet personave që po akuzohen për krime lufte. Prandaj duke pasur parasysh kompleksitetin natyrisht më të ulët të këtyre lëndëve, kemi bërë ulje të tarifave për këto raste,” deklarata e Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu më datë 14.02.2024.

Kjo është deklarata e ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu, në fillim të këtij viti kur probleme u shfaqen me pagesat e avokatëve të tre të akuzuarve për pengim të drejtësisë nga Gjykata Speciale në Hagë.

Ministrja pretendonte se me ndryshimet e udhëzimit administrativ më pak do të paguheshin vetëm të akuzuarit për këto vepra penale por jo ata për krime lufte.

Por, në javët e fundit ky pretendim i Haxhiut është hedhur poshtë. Dy avokatë kryesor, njëri i Veselit e tjetri i Thaçit u larguan nga ekipet mbrojtëse, ku së paku në rastin e fundit shkak ishte çështja e pagesës.

E udhëzimi administrativ i ndryshuar nuk e bën këtë dallim që pretendonte Haxhiu por ka një tjetër ndryshim.

Në atë që hyri në fuqi në fillim të shkurtit, u fshi krejtësisht paragrafi 2 dhe 3 i nenit 11, i cili lejonte ekipet mbrojtëse që në raste të veçanta kur ka tejkalim të shpenzimeve të parapara, të bëjnë kërkesë tek një komision i cili do t’i shqyrtonte ato.

Televizioni Dukagjini ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Drejtësisë për këtë ndryshim, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Ndërkohë, Ardian Bajraktari që për një vit kishte udhëhequr komisionin e përmendur në Udhëzimin administrativ po kritikon MD-në për këtë veprim.

“Kjo shpërfaq mungesën e gatishmërisë dhe vullnetit politik për të siguruar një mbrojtje kualitative të këtij procesi gjë që vlerësoj që institucionet shtetërore me pas parasysh faktin që personat që po ballafaqohen me këto akuza, nuk po akuzohen atje me kapacitete personale por si krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,” tha Bajraktari.

Ndikim tejet negativ në ndryshime të ekipit mbrojtës, veçanërisht avokatëve kryesor, po vlerësojnë se ka edhe nga shoqëria civile.

“Në një rast kaq kompleks është e rëndësisë së veçantë që ekipi mbrojtës të ketë vazhdimësi dhe memorie lidhur tërë procesin gjyqësor në mënyrë që të ofrohet mbrojtje profesionale dhe efektive, e veçanërisht për të ndërtuar strategjinë e mbrojtjes në kohën kur gjatë vitit tjetër do të mund të filloj marrja në pyetje e dëshmitarëve të ftuar nga mbrojtja. Shteti pa pike dyshimi duhet të bëjë ndarjen e ofrimit të ndihmës financiare të parezervë për të mbrojtjen e personave që akuzohen për krime lufte pasi baza e procesit gjyqësor lidhet me këto vepra,” ka thënë Ehat Miftaraj nga IKD.

Bordi i Fondacionit “Përkrahje për mbrojtjen juridike të Hashim Thaçit”, më 12 gusht i dërgoi letër pos Haxhiut edhe kryetarit të Kuvendit e kryeministrit, duke iu kërkuar shqyrtim urgjent të kërkesës për të ndarë mjete shtesë për ekipin mbrojtës.

Asnjë reagim nuk ka pasur nga këto institucione e përgjigje MD-ja dhe Zyra e Kryeministrit nuk i kanë kthyer as Dukagjinit.