Miroslav Lajçak u kthye në Prishtinë e Beograd për t’i ripërqendruar palët në dialog dhe për të diskutuar për hapat që duhet t’i ndërmarrin. Pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi, emisari i BE-së kërkoi përshpejtim të zbatimit të marrëveshjes për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve, ndërsa me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq tha se u pajtuan për hapat e ardhshëm.
l dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ishte në Prishtinë dhe më pas në Beograd për t’i “riperqendruar” palët në procesin e normalizimit të marrëdhënieve.
Pas takimit me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi të martën në Prishtinë, ai shkoi në Beograd për t’u takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq të mërkurën.
Me Vuçiqin, Lajçak tha se u pajtuan për hapat e ardhshëm në dialog.
“Në Beograd pata një diskutim të hapur me Aleksandar Vuçiqin mbi gjendjen aktuale të dialogut. Ne u dakorduam për hapat e ardhshëm”, shkroi Lajçak në “X”.
Atje, Lajçak e takoi edhe ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq. Me të tha se bisedoi për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në BE.
“Në Beograd pata rastin të ulem edhe me ministrin e Jashtëm të sapoemëruar, Marko Gjuriq. Diskutuam për dialogun dhe procesin e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian. I urova suksese në detyrën e re”, u tha në njoftimin e Lajçakut.
Ai u kthye në rajon duke njoftuar se do të mbetet në pozitën e emisarit deri në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithëse mandati i tij i rregullt përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, ai tha se i është kërkuar që të mbajë edhe pak pozitën që ka dhe se ka shumë punë për të bërë deri sa të largohet përfundimisht.
Nga kryeqyteti i Kosovës, Lajçak tha se vizita në Prishtinë dhe Beograd “ka të bëjë me mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.
“Ne e kemi një marrëveshje, duhet ta përshpejtojmë zbatimin e saj”, tha Lajçak pas takimit me kryenegociatorin Besnik Bislimi.
“Nuk mendoj që është vizita ime e fundit në Prishtinë pasi që më është kërkuar që të vazhdojë deri në fund të janarit. Pra ka ende mjaft kohë dhe punë që duhet të bëjmë”, tha ai.
Pjesë e diskutimeve të Lajçak në Prishtinë e Beograd ishte Plani i BE-së për Rritje Ekonomike.
Ky plan parasheh ndarjen e një fondi prej gjashtë miliardë eurosh për vendet e Ballkanit Perëndimor për periudhën 2024-2027, për ta përshpejtuar integrimin europian të rajonim.
Për të fituar qasje në këto fonde, Lajçak tha se Kosova dhe Serbia kushtëzohen me angazhim konstruktiv në dialog dhe se ai është personi përgjegjës që do ta bëjë vlerësimin nëse palët kanë bërë pëparim.
Lajçak në Prishtinë nuk pati takime me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Takimet me zyrtarë në Kosovë e Serbi, Lajçak tha se ishin të nevojshme për hapat që duhet t’i marrin palët. Tha se as Kosova dhe as Serbia s’mund të bëhen anëtare të BE-së përpara se të finalizohet marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.
Lajçak tha se është i bindur se “përfundimisht Asociacioni do të themelohet”, duke folur në një intervistë për “Kosovo Online” të martën, ku theksoi se “Kosova është e obliguar ta bëjë këtë sipas ligjit ndërkombëtar”.
“Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi. Është obligim që qeveria e atëhershme e kishte marrë vullnetarisht në vitin 2013. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë dy të tretash. Edhe bashkësia ndërkombëtare e sheh (mos)themelimin e Asociacionit si çështje të sundimit të ligjit dhe ka reaguar në përputhje me rrethanat e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Europës. Pa neglizhuar obligimet tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një obligim ‘i thjeshtë’ nga dialogu. Ai pasqyron qasjen e qeverisë ndaj mbrojtjes së të drejtave të njeriut, të drejtave të komuniteteve joshumicë dhe sundimit të ligjit”, tha Lajçak.
Për draft-statutin ndërkombëtar për Asociacionin, Lajçak tha se është hartuar me kujdes dhe se e ka mbështetjen e SHBA-së, Gjermanisë, Francës e Italisë.
“Jam i bindur se draft-statuti europian respekton plotësisht rendin juridik të Kosovës. Ne kemi pasur parasysh sa më shumë vijat e kuqe të të dyja palëve”, tha ai, duke shtuar se ka “një fren sigurie”, pasi dokumenti “do t’i referohet Gjykatës Kushtetuese për shqyrtim”.
Mandati i rregullt i Lajçak si përfaqësues special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë përfundon në vjeshtë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell e kishte emëruar sllovakun në këtë detyrë jo të lehtë në vitin 2020.
Pas katër vitesh, rezultati nuk është pozitiv, pasi nga ai pritej të sillte normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve ballkanike, por marrëdhëniet vetëm sa janë përkeqësuar, me tensionet që u përshkallëzuan deri në dhunë. Gjithsesi, para se ta lë këtë pozitë, Lajçak duket se e synon një sukses në detyrën e tij të vështirë.