Emisari i BE-së, Miroslav Lajçak i pyetur nëse ka sjellë në Kosovë ndonjë plan për Asociacionin, ai është përgjigjur se BE-ja gjithmonë ka një plan. Megjithatë ai ka shtuar se nuk do të lëshohet në detaje.
Tutje Lajçak ka thënë se dialogu duhet të vazhdojë sepse nëse nuk bëhet një gjë e tillë, mund të ketë përsëritje të veprimeve si në Banjskë, transmeton lajmi.net.
“Ne gjithmonë kemi një plan. Ne kemi një plan. Ne i diskutuam planet tona me kryeministrin Kurti dhe ne do t’i diskutojmë planet tona me kryeministrin Vuçiq sot më vonë dhe ju do ta kuptoni. Në këtë pikë nuk do të lëshohem në detaje. Së fundmi, nuk ka një alternativë për dialogun sepse dialogu sjell normalizim të marrëdhënieve dhe e hap rrugën evropiane mes Kosovës dhe Serbisë. Sulmet në Banjskë kanë ndryshuar shumë gjëra. Ato duhet të hetohen si duhet dhe fajtorët duhet të ndëshkohen. Dialogu duhet të vazhdojë sepse nëse nuk ka dialog mund të ketë përsëritje të veprimeve [si në Banjskë]”, ka thënë ai para gazetarëve.